Kryedemokrati Sali Berisha dënoi vendimin e djeshëm të Gjykatës së Lartë, e cila liroi nga masa e arrestit të shtëpisë ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanajt, e akuzuar për grup kriminal dhe grabitje personi.
Nga foltorja e selisë blu, Berisha tha se Karçanaj u lirua nga ish-ministri i PS-së.
Deklarata:
Së dyti, jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe aktin më të papërgjegjshëm, dëshminë flagrante të kontrollit të plotë të drejtësisë nga Edi Rama, nxjerrjen nga arrest shtëpie të Mirlinda Karçanaj dje nga ish-ministri i PS, Ilir Panda.
E kam theksuar dhe e theksoj se Mirlinda Karçanaj është Balluku bis dhe shkuar Ballukut.
Dhe Edi Rama pasi mbylli çështjen Balluku, duke përdorur 83 votat e krimit, ia doli nëpërmjet Ilir Pandës, ish-ministrit socialist, të nxjerrë nga arresti shtëpiak një eksponent të grupit të strukturuar kriminal, të vlerësuar nga prokuroria speciale, vetëm e vetëm se ajo në çdo hap, në çdo veprim, në çdo akt ka zbatuar urdhrat, kërkesat e Lindës së Surrelit.
Ka qenë në njëfarë mënyre një kukull në duart e saj dhe ka lejuar që nga ajo agjenci të paktën 600 milionë euro të vidhen, përvetësohen në mënyra të ndryshme nga çifti Rama duke përdorur si agjent në këtë rast Armand Frangun, baxhanakun e Ramës, por jo më pak edhe Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin.
Ky akt i shëmtuar është goditja më e rëndë që i jepet sistemit të drejtësisë, është goditja më e rëndë, është shpërblimi më i tmerrshëm që u bëhet hajdutëve që vjedhin për llogari të Edi Ramës.
Mirlinda Karçanaj, një ditë prej ditësh, u mor në një mbrojtje nga Edi Rama, i cili veçse sa nuk derdhte lot për Mirlindën, këtë njeri kaq të mirë. Për Mirlindën kaq të suksesshme, që jetonte, sipas këtij hajduti gënjeshtar, në një shtëpi me qira dhe nuk kishte as makinë, madje nuk dinte as të ngiste makinën.
Në një kohë kur dosja hetimore me të dhëna paraprake faktoi se Mirlinda kishte vila, jo një, por disa.
Kishte apartamente, jo një, por disa.
Kishte ara dhe ullishte. Kishte makinë luksoze personale.
Dhe këto janë vetëm hetimet paraprake.
Me gjithë këto të dhëna që dolën, Rama urdhëron Ilir Pandën për të nxjerrë Mirlindën pasi emëroi në postin e saj, kopjen e saj, Tafajn.
Tafaj, një hajdut me çizme, i cili duhet të hetohet thellësisht edhe për inkriminimin e mundshëm si haker i sistemeve që ai ishte i autorizuar t’i mbronte.
Burimi: botasot.info


