Edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof.Dr. Enver Bytyҫi në një prononcim të tij, dhënë për ‘Bota sot’, ka komentuar protestën e sotme të qytetarëve shqiptarë, në sheshet e Prishtinës.
Ai thotë se këta qytetarë protestuan sot me shpresën se do t’i ndihëmojnë ish-udhëheqësit e UÇK-së. Profesori thotë se qytetarëve u tha se nëse mbushin sheshet, gjykata nuk do t’i dënoj ata.
“Sot dhjetëra mijë qytetarë në Prishtinë demonstruan në mbështetje të katër komandantëve, të cilët pritet të marrin verdiktin e gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Të gjithë dolën në sheshin “Skënderbej” të kryeqytetit të Kosovës me shpresën se do t’i ndihëmojnë ish-udhëheqësit e UÇK-së. Sepse kështu u thanë organizatorët. Nëse mbushim sheshet, atëherë gjykata nuk do t’i dënojë ata”, theksoi ai.
Tutje, profesori thotë se edhe subjektet politike po i përdorin njerëzit për politika ditore.Njëherë përdoren simbolin e UÇK-së, sot po përdorin emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe viktimizimin e tyre për të rrit elektoratin e partive opozitare.

“Në fakt subjektet politike dhe ato jo politike në shërbim të saj i përdorën njerëzit për politikat ditore, për kapital elektoral. Edhe njëherë e shpërdoruan simbolin kombëtar të UÇK-së. Sepse po përdorin emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe viktimizimin e tyre për të rrit elektoratin e partive opozitare në Kosovë. Thjesht po mashtrojnë, sepse e dinë se gjykata nuk ndikohet nga asgjë në vendimin e saj, cilido të jetë ai vendim”, thekson ai.
Profesor Bytyҫi thotë se edhe kryeministri shqiptar Edi Rama bëri mashtrim. Si i akuzuar për tradhti ndaj atdheut të vet, sipas profesorit, ai shfrytëzoj rastin për status patriotizmi.
“Edhe Edi Rama e përdori rastin për mashtrim. I akuzuar si tradhtar i atdheut të vet, ai shfrytëzoi rastin të bëjë një status patriotizmi. Të gjithë po mashtrojnë dhe vazhdojnë ta përdorin Gjykatën e Hagës për interesa ditore. Turp më të madh nuk ka! Ndërsa njerëzia beson se këtyre po u dhemb shumë për ata të katër. Nëse ata janë të pafajshëm me datë 16 do të dalin, pavarësisht bëhen ose nuk bëhen mitingje kaq të mëdha! Por asnjë status patriotk i politikanëve në Kosovë apo edhe i Edi Ramës nuk do t’i lehtësojë ata nëse provat çojnë në fajësinë e tyre”, vlerëson ai.
Burimi: botasot.info


