Ministria e Jashtme turke thirri sot të ngarkuarin me punë të Danimarkës në Ankara për një tjetër incident të përdhosjes së librit të shenjtë të Islamit, Kuranit, thanë burime diplomatike turke, transmeton Anadolu.
“Për shkak të incidenteve të vazhdueshme të djegies së librit tonë të shenjtë, Kuranit, përpara ambasadës sonë dhe ambasadave të vendeve (të tjera) muslimane në Kopenhagë, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Danimarkës në Ankara u thirr sërish në ministrinë tonë”, thanë burimet në kushte anonimiteti.
Ky hap erdhi pas djegies së Kuranit në Kopenhagë për të tretën ditë radhazi.
Türkiye ka thirrur tashmë dy herë të dërguarit danezë këtë javë për shkak të përdhosjes së Kuranit.
Figura dhe grupe islamofobike në Evropën Veriore kanë kryer vazhdimisht djegie të Kuranit dhe përpjekje të ngjashme në muajt e fundit për të përdhosur librin e shenjtë musliman, duke shkaktuar reagime nga vendet muslimane dhe pjesa tjetër e botës.