Ministria e Jashtme e Türkiye-s njoftoi se e ka pritur me keqardhje dhe shqetësim vendimin lidhur me ndalesën e vendosur për arsimin e lartë universitar për femrat në Afganistan, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga ministria, lidhur me çështjen thuhet se “vendimin në fjalë e presim me keqardhje dhe shqetësim”.
“Arsimi është një e drejtë themelore e njeriut në të cilën të gjithë individët duhet të përfitojnë pa dallim në bazë të barazisë dhe nuk duhet të privohen”, thuhet në deklaratë.
Më tej në deklaratën e ministrisë theksohet se “Në përputhje me pritshmëritë e popullit në Afganistan, njohja e të drejtës arsimore për të gjitha vajzat pa përjashtim është e rëndësishme në aspektin e mirëqenies dhe të ardhmes së vendit. Në kuadër të kësaj, shprehim pritshmërinë tonë se vendimi në fjalë duhet të rishikohet dhe se duhet të ndërmerren hapat e nevojshëm sa më parë”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit të Lartë në Qeverinë e Përkohshme Talebane, Ziaullah Hashmi në një deklaratë për AA kishte deklaruar se të gjitha universiteteve publike dhe private në vend u është dërguar udhëzim lidhur me arsimin e vajzave të reja.
Në udhëzim ishte kërkuar pezullimi i arsimit për studentet femra në universitete deri në një njoftim të dytë.