Policia turke arrestoi 28 shtetas të huaj të dyshuar për lidhje me organizatën terroriste DEASH gjatë një operacioni të madh antiterrorist në Istanbul, raporton Anadolu.
Për deshifrimin e aktiviteteve të organizatës terroriste DEASH u angazhuan pjesëtarët e Departamentit të Antiterrorizmit të Policisë së Istanbulit.
Në kuadër të operacionit u kryen bastisje në 15 adresa në rrethet e Istanbulit, Basaksehir, Esenyurt dhe Beylikduzu. Të dyshuarit akuzohen për lidhje me terroristët e DEASH-it dhe se kanë operuar në zonat e konfliktit.
Gjatë kontrollit u sekuestruan disa armë, municione dhe para në lira, dollarë dhe euro. Të dyshuarit janë dërguar në Komisariatin e Policisë për procedim të mëtutjeshëm.
Në vitin 2013, Türkiye u bë një nga vendet e para që e shpalli DEASH-in organizatë terroriste.
Vendi që atëherë është sulmuar disa herë nga grupi terrorist, ku mbi 300 persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën në të paktën 10 sulme vetëvrasëse, shtatë sulme me bomba dhe katër sulme të armatosura.
Si kundërpërgjigje, Türkiye nisi operacione antiterroriste brenda dhe jashtë vendit për të parandaluar sulme të mëtejshme.