Në një vend si ne, që ka turizmin si sektor parësor të ekonomisë, që do e krahasoja me një parashutë që qëndron pezull nga një flluskë sapuni, dhe terminologjia rreth këtij termi është pasuruar. Shpesh flitet dhe për turizëm patriotik. Ky togfjalësh ka hyrë në shqip, sepse, nisur nga ndjenja e atdhetarisë, shqiptarët në emigracion dhe ato të Kosovës frekuentojnë vazhdimisht vendin amë pa marrë parasysh rreziqet nga më të ndryshmet, zvarritjet nëpër pikat kufitare, abuzimet me çmimet dhe nivelin e shërbimit etj.. Me ngjarjen e tmerrshme të Himarës togfjalëshin “turizëm patriotik” do e zëvendësoja me togfjalëshin “turizëm tragjik”. Ky rasti i fundit përbën kulmin tragjik, por sa ngjarje të tjera të dhimbshme të turistëve patriotë dhe të vendeve të tjera nuk janë larguar akoma nga memoria. Të parin po kujtoj rastin, thuajse të harruar, ku katër studentë çek u zhduken në alpet tona, ku as kockat e tyre ende nuk janë gjetur; për të vijuar me çiftin e turistëve polakë që erdhi për të admiruar po ashtu alpet tona, por u vranë për tu grabitur. Nuk mund të harrohet i riu anglez i vrarë dhe i hedhur në pus në Shëngjin vetëm për t’i vjedhur një varëse floriri, ku mamaja e tij pas ngjarjes së tmerrshme u mbyll ne vetmi dhe ndërpreu çdo lloj komunikimi me vendasit e vendit me “famë mikpritje”. Për të vijuar më tej me “aksidentet”: palombarin rus të grirë nga helika e motoskafit; turistin polak dhe katër turistet rus të gjetur të vdekur në mënyrë misterioze në pishinën e një hoteli në Golem dhe, duke u afruar më afër në kohë kujtojmë, vajzën në Velipojë që bie nga motoskafi dhe lihet në det nga miku i saj. Por ajo që përben vërtetë kulmin e tmerrshëm ishte ajo e Himarës. A nuk janë shumë për një vend si i yni? Mos të harrojmë se, si bregdeti i Himarë është tërë bregdeti shqiptar. Skafe e gomone në mes të pushuesve të drejtuar minimalisht nga të papërgjegjshëm e me leje drejtimi të blera. Kishim dramatizuar vetëm problemin e çmimeve, por paska çmime tmerrësisht më të larta për të paguar. Për tmerrin e fundit nuk gjenden fjalë për ta shprehur, por ai tregon më së miri se kush drejton policinë e vendit tonë. Në polici promovohen vetëm ato që bashkëpunojnë me mafien apo bandat, ndërsa policët e vërtetë, që janë të gatshëm te mbrojnë jetën e të tjerëve me të tyren, nuk promovohen; madje dhe pushohen nga puna. Prej vitesh kështu. Çfarë nuk po dëgjojmë, përjetojmë e shkojmë, kryesisht në sezonin e verës.
Janë bërë mjaft sponsorizime në mediat kombëtare dhe ndërkombëtare për të promovuar turizmin, tashmë tragjik, në Shqipëri. Shqipëria e vërtetë nuk është ajo që shikoni në këto promovime, por kjo e lartpërmendura. E vetmja formë promovimi i saj do të ishte pakësimi i ngjarjeve të tilla të tmerrshme, por kush do e bëj këtë? Po të kishte ndodhur në Greqi apo diku tjetër një gjë e tillë, do të kishim tjetër skenar.