Kushtetuta e re e Tunizisë hyn në fuqi këtë muaj, duke çimentuar kompetencat e mëdha të marra një vit më parë nga autori i saj, Presidenti Kais Saied, megjithë pjesëmarrjen e vogël të votuesve në referendumin e korrikut për miratimin e saj. Nga Tunizia, gazetarja e Zërit të Amerikës, Lisa Bryant njofton se e ardhmja e këtij vendi të Afrikës së Veriut varet nga shumë faktorë, përfshirë vullnetin e tunizianëve për të mbrojtur demokracinë e vetme të Pranverës Arabe.
Pyetja kryesore që po bëhet për Tunizinë është nëse presidenti i vendit, Kais Saied do t’i përmbushë premtimet e tij për vende të reja pune, stabilitet dhe zhvillim, si dhe gjithashtu për të ruajtur liritë e fituara gjatë revolucionit të vitit 2011?
Presidenti Saied thotë se kushtetuta e tij e re, e cila forcon ndjeshëm fuqitë presidenciale dhe dobëson ato legjislative dhe gjyqësore, do t’i japë fund viteve të bllokimit politik. Mbështetësit e tij shpresojnë që ai të ketë të drejtë.
“Ne kemi jetuar dhjetë vjet në errësirë. Nuk mund të jetojmë edhe dhjetë vjet të tjera kështu. Shpresojmë që gjërat të përmirësohen,” thotë përkrahësi i presidentit, Mourad Sassi.
Tranzicioni i vështirë i Tunizisë, pas revolucionit, është bërë edhe më i rëndë muajt e fundit. Lufta në Ukrainë ka rritur çmimet e bukës dhe energjisë…duke e thelluar varfërinë.
Muhamedi fiton rreth 20 cent duke mbushur thasët për riciklim.
“Përpara (revolucionit) Tunizia ishte ikona e botës arabe. Sigurisht që ishte një shtet policor, por ne kishim punë, jetonim mirë. Tani, po na godet uria”, thotë Mohammedi i cili nuk pranoi të jap mbiemrin.
Kritikët paralajmërojnë se kushtetuta e zotit Saied është një kthim prapa, tek shteti policor. Ata përmendin dobësimin e lirive civile vitin e kaluar dhe vënë në pikëpyetje rezultatet e referendumit.
“Askush nuk është në gjendje t’i thotë “Jo” presidentit Saied. Ai kontrollon gjyqësorin, Asamblenë Kombëtare, administratën… ai sundon si një faraon”, thotë udhëheqësi i partisë “Ennahdha”, Rached Ghannouchi.
Analistët thonë se sfida e menjëhershme e presidentit është përmbushja e përparësive bazë.
“Nëse përmirëson kushtet ekonomike dhe sociale, me siguri do të rizgjedhet. Përndryshe, nëse përqëndrimi i tij i vetëm është tek kushtetuta dhe zgjedhjet pa asnjë axhendë ekonomike dhe sociale, me siguri vendi do të hyjë në krizë”, vlerëson profesori i shkencave politike në Universitetin e Tunisit, Hamadi Redissi.
Rol vendimtar pritet të luajë aftësia e zotit Saied për të siguruar një tjetër hua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për të mbështetur ekonominë dhe zbatimin e masat shtrënguese.
Sindikata e fuqishme kombëtare e Tunizisë i kundërshton reformat e ashpra.
Ajo kërcënon me grevë javën e ardhshme, duke paralajmëruar më shumë trazira sociale në të ardhmen.
Se sa mund të mbështetet presidenti Saied tek forcat e sigurisë së Tunizisë është një tjetër e panjohur.
“Duket sikur shumica e policisë është ende me të. Dhe, duket se shumë pjesë të ushtrisë janë gjithashtu me të. Nëse publiku tunizian do të përfshihej në kaos, ku do kishte protesta në të gjithë vendin duke kërcënuar sigurinë e vendit, ushtria mund të ndryshojë qëndrim”, thotë Monica Marks nga Universiteti i Nju Jorkut në Abu Dhabi.
Analistët thonë se me fuqitë e tij jashtëzakonisht të zgjeruara, presidenti Saied nuk ka njeri tjetër për të fajësuar nëse gjërat shkojnë keq./VOA