Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss deklaroi se ajo nuk përjashton absolutisht asgjë kur bëhet fjalë për mbështetjen e Britanisë së Madhe për Ukrainën, ndërsa paralajmëron oligarkët rusë për sanksionet e forta përballë rritjes së trupave nga Vladimir Putin.
Duke folur për Sky News, Liz Truss tha se oligarkët e Putinit nuk do të kenë “ku të fshihen” nën sanksionet e ashpra britanike, dhe armët dhe paratë britanike mund të dërgohen në Ukrainë nëse Rusia e pushton atë.
“Prioriteti numër një është të pengojë Vladimir Putinin nga ndërmarrja e këtij veprimi. Kjo është arsyeja pse ne po ofrojmë të vendosim trupa shtesë në Estoni, ne po ofrojmë më shumë mbështetje ajrore përtej Detit të Zi dhe po furnizojmë Ukrainën me armë mbrojtëse për t’u siguruar që ata janë në pozicionin më të mirë të mundshëm nëse Vladimir Putin përpiqet të organizojë një inkursion. Ajo që do të njoftohet më vonë gjatë javës është legjislacioni i përmirësuar për sanksionet, që të synojmë më shumë interesa ruse që kanë lidhje direkte me Kremlinin,” tha Truss
Kryeministri Boris Johnson paralajmëroi sot për një situatë “gjithnjë e më shqetësuese” mbi Ukrainën, pasi ai mori njoftime këtë javë nga shefat e mbrojtjes.
“Unë vazhdoj t’i bëj thirrje Rusisë që të përfshihet në negociata dhe të shmangë një pushtim të pamatur dhe katastrofik,” shkroi ai në Twitter.
Johnson po shikon dyfishimin e trupave britanike të dislokuara për të forcuar kufijtë e Evropës në një ofertë të re për NATO-n, si dhe dërgimin e avionëve të shpejtë, anijeve luftarake dhe specialistëve ushtarakë.
Në paraqitjen e saj në Sky News, Truss tha se nuk “përjashton absolutisht asgjë” kur bëhet fjalë për mbështetjen ndaj Ukrainës, ndonëse e konsideroi “shumë të pamundur” që trupat britanike të dërgohen për të luftuar së bashku me ukrainasit kundër Rusisë.
Në një paralajmërim për personat e afërt me Putinin, Truss tha për zgjerimin e ligjeve të sanksioneve në Britani të Madhe: “Çdo kompani me interes për Kremlinin dhe regjimin në Rusi. mund të jetë në shënjestër. Pra, nuk do të kishte se ku të fshihen oligarkët e Putinit apo kompanitë ruse të përfshira në mbështetjen e shtetit rus. Kjo është ajo që ne po shikojmë të bëjmë këtë javë.”
Truss nuk përjashtoi mundësinë që sanksionet më të ashpra, që priten të përshkruhen në Parlament të hënën, mund të përfshijnë sekuestrimin e pronës në Londër të oligarkëve rusë në Britani të Madhe.
“Asgjë nuk është jashtë tryezës. Ne nuk do të hyjmë në detaje se kush dhe si do të synojmë sanksionet. Ajo që legjislacioni na mundëson të bëjmë është të godasim një gamë shumë më të gjerë objektivash, kështu që askush nuk mund të mendojë se do të ishte imun ndaj atyre sanksioneve,” u shpreh sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss.
Ndryshe, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë gjithashtu se nuk ka nuk ka plane për të vendosur trupa luftarake të NATO-s në Ukrainë, në rast të një pushtimi rus.