Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer idenë për ta shpallur Ngushticën e Hormuzit territor të Shteteve të Bashkuara, në një deklaratë që vjen në një moment të tensionuar të përplasjes mes Washingtonit dhe Teheranit.
I pyetur për komentet e tij të mëparshme se ngushtica mund të bëhej territor amerikan “shumë shpejt”, Trump e cilësoi këtë si “një ide të shkëlqyer”. “Ne e kontrollojmë atë me bllokadë dhe më pëlqen ideja e shpalljes së saj territor”, tha Trump nga Shtëpia e Bardhë. Ai pretendoi se SHBA ka aktualisht “kontroll të plotë” mbi ngushticën dhe se bllokada amerikane ka qenë efektive.
Trump shtoi se Irani mund të përpiqet të pengojë lëvizjen në ngushticë, përfshirë vendosjen e minave, por sipas tij SHBA është në gjendje ta kontrollojë situatën.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës. Përplasja mes SHBA-së dhe Iranit ka bërë që trafiku detar në këtë zonë të bjerë ndjeshëm, ndërsa çmimet e naftës janë rritur për shkak të shqetësimeve për furnizimet globale.
Deklarata e Trump vjen gjithashtu pasi skadoi memorandumi 60-ditor i mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, pa një marrëveshje përfundimtare. Trump ka bërë të ditur se Washingtoni nuk kërkon zgjatjen e marrëveshjes.
Ndërkohë, Irani ka kundërshtuar pretendimet amerikane për kontrollin e Hormuzit dhe ka deklaruar se ngushtica mbetet nën autoritetin e tij.
Tensionet mbeten të larta, ndërsa dështimi i negociatave dhe rënia e trafikut në këtë korridor strategjik po shtojnë shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit dhe ndikimin e tij në tregjet globale të energjisë.
Burimi: botasot.info


