Ministrja për Punë dhe Politik Sociale, Jovana Trençevska sot tha se shpreson që të arrihet marrëveshje mes Qeverisë dhe SAShK-ut, por që siguroi se çerdhet do të punojnë pavarësisht grevës së paralajmëruar, përcjell TV21. Trençevska tha se komunat janë të obliguara që të gjejnë kuadër zëvendësues.
“Shpresoj se do të ketë marrëveshje deri me 11 prill, megjithatë edhe në bazë të Ligjit për Mbrojtje të Fëmijëve, Çerdhet duhet të kujdesen për fëmijët që kanë ardhur këtu. Komuna është e obliguar, drejtorët e çerdheve për fëmijë duhet të drejtohen tek komunat, që të gjithë ata që do të jenë në grevë, të zëvendësohen me kuadër. Çerdhja duhet të punojë, është e drejtë legjitime që të mbahet grevë, por obligim edhe me ligj edhe me Kushtetutë është që fëmijët të kenë kujdesie”, tha Trençevska.
Drejtoresha Kopshtit “Buba Mara” në Komunën e Aerodromit, Elena Ustamitova theksoi se dialogu për këtë çështje është ende në vazhdim dhe se presin njoftim nga SASHK-u për mbajtjen e mundshme të grevës.
“Dialogu është ende në vazhdim. Përderisa nuk kemi informacione zyrtare nga SASHK-u se po fillon greva, shpresoj që, për të mirën e të gjithë neve, si për fëmijët ashtu edhe për ne si punëtorë, të zgjidhet përmes dialogut. Sigurisht që do të organizohet, por procesi i kujdesit ndaj fëmijëve nuk do të ndalet. Do të organizohemi sepse i gjithë stafi nuk do të hyjë në grevë dhe do të përdorim të gjitha resurset që pjesa edukative të mos ndalet”, tha Ustamitova.