Aliou Cisse nderoi Sadio Manen pasi që Senegali siguroi biletën drejt fazës së eliminatoreve të Kupës së Botës me një fitore 2:1 kundër Ekuadorit.
Senegali e kaloi kundërshtarin e sotëm në vendin e dytë në Grupin A, ndërsa golat e Ismaila Sarr dhe Kalidou Koulibaly vulosën kualifikimin në fazën e eliminimit për herë të parë që nga viti 2002, raporton KosovaPress.
Rezultati gjithashtu bëri që Senegali të bëhej kombi i parë afrikan që mundi një ekip të Amerikës së Jugut në Kupën e Botës që kur Kameruni mposhti Kolumbinë në vitin 1990, duke i dhënë fund një serie prej 21 ndeshjesh pa fitore.
Ylli i Senegalit, Sadio Mane u përjashtua nga “Katar 2022” pasi pësoi një lëndim në këmbë, por mendimet e Cisse u kthyen shpejt te sulmuesi pas fitores së madhe të skuadrës së tij.
“Do të doja t’ia kushtoja këtë fitore një njeriu që po bën gjëra të jashtëzakonshme për vendin, i cili për fat të keq sot nuk është këtu. Ky njeri quhet Sadio Mane,” tha ai.
Senegali do të përballet me fituesin e Grupit B të dielën dhe Cisse thotë se skuadra e tij do të jetë e përgatitur mirë për çdo kundërshtar.
“Nuk e dimë se me kë do të përballemi në raundin e 16-të – mund të jetë Anglia, Uellsi, Irani, SHBA-ja, kushdo”, shtoi Cisse.
“Atëherë kjo do të jetë një fazë e re për ne. Ne e dimë se po kalojmë në fazën eliminatore, e cila është krejtësisht e ndryshme nga ajo që jemi mësuar të luajmë në këto lloj ndeshjesh grupi. Të gjitha janë skuadra të mira, skuadrat më të mira në botë që po garojnë. Prandaj, ne duhet të jemi të përgatitur për të përballur çdo skuadër. Tani është një situatë fitoreje ose humbjeje, nuk ka shanse të dyta – nëse fiton, kalon, nëse humbet, shko në shtëpi. Pra, për momentin, ne do të përqendrohemi vetëm në pushimin dhe përgatitjen për ndeshjen e ardhshme, është kaq e thjeshtë”, tha më tej trajneri i Senegalit.