Stefano Pioli e ka cilësuar një fitore karakteri atë të Milanit të tij kundër Lacios me një gol në minutën e 92-të. Tekniku i Milanit, në fjalët e tij pas ndeshjes, kishte elozhe për lojtarët dhe theksoi se shumë prej tyre meritonin më shumë vlerësime se sa kishin marrë deri tani.
“Është e drejtë të jemi të kënaqur dhe të lumtur, për lojtarët tanë që janë luanë dhe për tifozët tanë. Nëse do të isha në vend të lojtarëve të mi, do të isha i inatosur, i vlerësojnë shumë pak por po tregojnë se janë shumë të fortë. Mbeten katër ndeshje, duhet të fitohen të gjitha, nuk e di nëse do ia dalim, por janë shumë lojtarë të fortë.
Lacio është një skuadër e madhe, na vendosi në vështirësi, por një meritë e madhe shkon për mentalitetin e djemve të mi. Është një hap para i rëndësishëm, kalendari na vendos në vështirësi por do të mundohemi që të bëjmë më të mirën.
Komplimente djemve, jemi në Ligën e Kampioneve dhe rrugëtimi është i vazhdueshëm dhe në rritje të madhe. Vitin e kaluar nuk e dinim nëse mund të qëndronim mes katër skuadrave të para, janë shkallë që mund të na japin kënaqësi të mëdha. Do të mundohemi deri në fund.
A mendojmë ku mund të humbasë pikë Interi? Jo, i kam thënë skuadrës që duhet të fitojmë të gjithë ndeshjet tona. Nëse në fund do të kemi bërë 86 pikë, do të kemi bërë gjithçka. Interi ka 5 ndeshje, kampionati është i vështirë. Ndeshjet janë të vështira për ne dhe mund të jenë të vështira edhe për kundërshtarët, shihni se çfarë ndodhi në Empoli. Të mbetemi të përqendruar vetëm në rrugëtimin tonë, vetëm kështu mund të ecim para”, tha Pioli në fjalët e tij.