Kukësi dëshiron të marrë një tjetër fitore pasi mundi Labërinë 2-0. Trajneri Enkeleid Dobi ka folur për përballjen me Erzenin në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Ai është shprehur se nuk mund të humbasin asnjë pikë dhe duhet të fitojnë.
“Sigurisht që rezultati i ndeshjes së parë na e kishte lehtësuar objektivin e kalimit të turit dhe në këtë takim doja që t’u jepja minutazh disa lojtarëve të rinj, për të pasur dhe ata mundësitë e shprehjes në lojë.
Jam i kënaqur nga reagimi i tyre në fushë. Tashmë qëllimi ynë është ndeshja e kampionatit, ajo kundër Erzenit në Durrës, ku nuk mund të humbasin qoftë edhe një pikë, pasi jemi shumë deficitarë në këtë drejtim. Ardhja në krye të ekipit të Kukësit më duket sikur ka marrë ngjitjen, por duhet punë dhe dëshirë.
Ndoshta stadiumi i Durrësit mund të jetë edhe një fat për mua të shtunën, pasi aty kam luajtur si pjesë e Teutës. Na duhen pikët e plota ndaj Erzenit”, ka thënë Dobi për “Panorama Sport”, teksa do të ketë si rival ish-shokun e ekipit te Teuta, Xhevahir Kapllani, që tashmë drejton skuadrën shijakase.