Pedro Porro është një nga lojtarët që ka huazuar Manchester City në klubet e tjera. Anësori i djathtë spanjoll do të jetë pjesë e Sportingut të Lisbonës deri më 30 qershor, sipas akordit mes dy klubeve për huazimin 2-vjeçar që filloi në verën e vitit 2020.
4 gola dhe 4 asiste me kampionët e Portugalisë këtë sezon për 22-vjeçarin, një nga lojtarët më të mirë të skuadrës luzitane. Pep Guardiola është i lumtur për rritjen dhe përmirësimin e Porros, i cili debutoi me kombëtaren e Spanjës në marsin e vitit të kaluar.
Trajneri i “Cityzens” nuk e kurseu batutën pas një pyetje që iu bë në konferencën për shtypin përpara sfidës së parë të raundit të 1/8-ve në Champions League. City luan sonte në Lisbonë me objektivin për të hedhur një hap të sigurt drejt kalimit në çerekfinale.
“E njoh në perfeksion Porron, por ne kemi rreth 250 lojtarë në huazim dhe e kam të pamundur të flas me të gjithë, nuk kam kohë. Jam i kënaqur që ai po bën shumë mirë te Sportingu“, deklaroi Guardiola.