Markus Gisdol nuk është më trajner i skuadrës së divizionit të parë rus, Lokomotiva e Moskës. 52-vjeçari ka ndërprerë kontratën me moskovitët i ndikuar nga ngjarjet e fundit.
Gisdol dhe Lokomotiva e Moskës ndanë rrugët dhe konfirmimi erdhi nga vetë klubi nëpërmjet një qëndrimi zyrtar.
Gisdol e mori drejtimin e skuadrës në muajin tetor, i sponsorizuar nga Ralf Rangnick, i cili ishte ende duke punuar si drejtor sportiv i klubit të kryeqytetit rus në atë kohë. Gisdol, ish-trajner i Hoffenheimit, Hamburgut dhe Kölnit në Bundesligë, shpjegoi se nuk kishte asnjë motiv për të punuar në këtë skuadër pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe përjashtimit të klubeve ruse nga garat evropiane.
“Nuk mund ta vazhdoj punën time në një vend ku udhëheqësi i tij është përgjegjës për luftën dhe agresionin në mes të Evropës.
Kjo nuk është në përputhje me vlerat e mia, ndaj i kam kërkuar klubit dorëheqjen nga posti i trajnerit me efekt të menjëhershëm. Nuk mund të qëndroj në fushë duke stërvitur dhe u kërkuar profesionalizëm futbollistëve, kur pak kilometra më larg jepen urdhrat për t’i shkaktuar vuajtje një populli të tërë.”
Tetë gjermanë të tjerë në klub
Megjithatë, është ende e paqartë se çfarë do të ndodhë me gjermanët e tjerë të shumtë te Lokomotiva. Marvin Compper ka punuar së bashku me Lutz Siebrecht si ndihmës i Gisdol, dhe ish-mbrojtësi qendror tani do të marrë përsipër stërvitjen.
Sascha Marth, ishte trajner i portierëve, Martin Hämmerle, përgjegjës për fitnesin, Christian Möckel dhe Matthias Wallenëein menaxhonin skautingun, Thomas Zorn vepronte si drejtor sportiv dhe Lars Kornetka ishte drejtor i menaxhimit deri më sot. Lokomotiva e Moskës aktualisht renditet në vendin e 7-të në Premier League.