Tre persona kanë humbur jetën dhe 5 të tjerë janë plagosur nga shembja e pjesëve të një formacioni shkëmbor në Kapadokia të Turqisë.
Ngjarja ka ndodhur të enjten, më 29 tetor, pranë Muzeut të Hapur të Göremes, në provincën Nevşehir.
Sipas agjencisë turke të lajmeve Anadolu Agency (AA), masa shkëmbore janë shkëputur nga një formacion natyror në zonën turistike dhe kanë rënë mbi personat që ndodheshin aty.
Mes viktimave është një turiste franceze, e identifikuar si Cynthia Francine Marie Madeleine Huppert, si dhe një çift i sapomartuar turk, gazetari Fatih Eray Tuna dhe bashkëshortja e tij, Begüm Çetinkaya Tuna.
Çifti ishte martuar më 5 korrik 2026 dhe kishte zgjedhur Kapadokinë për të kaluar pushimet. Vdekja e tyre ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa lajmi për tragjedinë është përhapur edhe në rrjetet sociale.
Guvernatori i Nevşehirit, Hüseyin Kök, ka deklaruar se reshjet e dendura të shiut dyshohet se kanë ndikuar në shkëputjen e masave shkëmbore.
Pas ngjarjes, në vendin e incidentit kanë ndërhyrë ekipet e Policisë, Xhandarmërisë, Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) dhe shërbimet mjekësore.
Autoritetet kanë konfirmuar përfundimin e operacionit të kërkim-shpëtimit.
Nga 5 të plagosurit, 4 janë liruar nga spitali pas trajtimit mjekësor, ndërsa 1 person ka mbetur i hospitalizuar për shkak të një frakture në legen.
Prokuroria e Nevşehirit ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të tragjedisë. Për këtë qëllim janë caktuar edhe 5 ekspertë.
Kapadokia është ndër destinacionet më të njohura turistike të Turqisë, e famshme për formacionet e saj natyrore shkëmbore dhe qytetet e lashta nëntokësore.
Burimi:TV21


