Prej kohësh kryetari i partisë socialiste dhe kryeministri në detyrë i Shqipërisë Edi Rama e ka ndryshuar politikën e shtetit shqiptar ndaj Kosovës. Krejt ndryshe nga qëndrimet e qeverive të mëparshme që mund të përkufizoheshin mjaft mirë nga shprehja « një komb, një qëndrim », Rama i vuri shkelmin rrugës së përbashkët dhe de fakto ia ka hequr sot Kosovës përkrahjen e qeverisë shqiptare.
Edi Rama e filloi qeverisjen e tij me gjoja një akt të madh « patriotik » kur tha në Beograd se « Kosova është e pavarur ». Vështirë të besohet se kjo deklaratë e ka ndihmuar ndopak pavarësinë e Kosovës sepse nuk pati asnjë masë apo veprim konkret më pas. Që atëherë, i qortuar edhe nga presidenti i Serbisë, siç e ka thënë vetë kohët e fundit, Edi Rama nuk e ka përsëritur më këtë deklaratë në Serbi. Por nga ana tjetër Edi Rama me shumë pompozitet ka organizuar mbledhje të përbashkëta me qeveritë e Kosovës, ku janë nënshkruar disa marrëveshje të cilat, pavarësisht dekorit madhështor me flamuj kombëtarë, mund të ishin nënshkruar edhe me vende të tjera fqinje.
Nga ana tjetër, që nga viti 2019 Edi Rama i është bashkuar idesë serbe të « Ballkanit të hapur » dhe në kuadrin e saj ka nënshkruar me Serbinë dhe Maqedoninë disa marrëveshje për lëvizjen e lirë të njerzve dhe mallrave. Që nga krijimi i « Ballkanit të hapur » Edi Rama ka bërë çmos që aty të hyjë edhe Kosova, e cila nuk mund të pranojë sepse Serbia nuk e njeh si shtet. Jo vetëm Kosova, por edhe Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi nuk kanë pranuar të hyjnë në këtë marrëveshje sepse i tremben humbjes së pavarësisë së tyre dhe aneksimit total ose të pjesshëm nga Serbia respektivisht në formën e një « Jugosllavie të re » ose të « Botës serbe ».
Për Kosovën, e cila ndodhet sot nën mbrojtjen e KFOR-it, hyrja në « Ballkanin e hapur » do të ishte katastrofike sepse OKB mund të vlerësonte se prania e KFOR-it nuk do të ishte më e nevojshme. Përse do të kishte nevojë për forca sigurie nëse Kosova dhe Serbia i kishin aq mirë marrëdhëniet sa të nënshkruanin marrëveshje të lëvizjes së lirë të njerzve dhe mallrave, sa të merrnin pjesë në forume të verërave dhe punët të rridhnin vaj si me kryeministrin Rama?
Pra Kosova as që mund ta marrë parasysh hyrjen në « Ballkanin e hapur » pa u njohur më parë nga Serbia.
Ashtu sikurse Rama, edhe disa përfaqësues amerikanë, e inkurajojnë Kosovën të hyjë në « Ballkanin e hapur ». Por ndryshe nga Rama, ata gjithmonë bëjnë kujdes të përcaktojnë se Kosova duhet të futet aty si shtet i njohur nga Serbia, dhe jo në situatën aktuale. Gjë të cilën Rama nuk e bënë kurrë. Nga ana tjetër amerikanët mbrojnë interesa globale dhe nuk mbrojnë interesa shqiptare. Eshtë më se normale që të inkurajojnë bashkëpunime rajonale por të bazuara në rregullat e botës së lirë demokratike. Janë shqiptarët, dhe në radhë kryeministri i Shqipërisë, që duhet të mbrojnë interesat shqiptare.
Por për fat të keq ndodh e kundërta. Kryeministri në detyrë i Shqipërisë jo vetëm që nuk i mbron intersat kombëtare, por i dëmton ato duke iu nënshtruar Serbisë nga ana ekonomike dhe politike dhe rrjedhimisht ushtarake. Ndoshta i duket se po bën politikë « të madhe », « të zgjuar » dhe që do lërë « gjurmë » në histori. Ndoshta i duket se do të jetë një nga « etërit » themelues të një « Bashkimi Ballkanik » hipotetik. Por ndoshta nuk e shikon se po përdoret pa asnjë skrupull nga Serbia, që ua njeh mirë kokën shqiptarëve megallomanë. Ndoshta kryaministrit i duket se po ndalon shpërthimin e luftës në Ballkan, por përsëri gabohet, sepse para disa javësh Serbinë nuk e pengoi nënshtrimi i tij për të sulmuar Kosovën, por e penguan trupat e KFOR-it të cilave Serbia u druhet. Sepse Serbia kupton vetëm gjuhën e forcës.
Prandaj « gjurma » e vetme që mund të lërë në Histori kryeministri aktual është ajo e tradhëtisë, si dikur Esad Pasha. Sepse, pasi ia hoqi Kosovës, në përballjen e sotme me Serbinë, përkrahjen e Shqipërisë, Edi Rama sot po shkon më tutje në këtë rrugë të shëmtuar. Po përpiqet që të ndikojë që edhe Mali i Zi të futet në « Ballkanin e hapur ». Në një intervistë për gazetën gjermane « Der Spiegel » Edi Rama është shprehur se dëshiron që « Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi të krijojnë një lloj mini-zone Shengen për të bërë shkëmbime më të mira ». Natyrisht që Serbia po përdor një tjetër shqiptar gjak-prishur në Mal të Zi për ta futur këtë vend në « Ballkanin e hapur », por deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë mund t’i turbullojnë më shumë punët.
Dhe hyrja e Malit të Zi në « Ballkanin e hapur » do të kishte pasoja për Kosovën, sepse ajo do të ndodhej gjeografikisht e rrethuar nga 3 vende të cilat mund të tentojnë ta izolojnë dhe ta bllokojnë ekonomikisht, i cili është qëllimi i Serbisë.
Nëse qeveria e Shqipërisë merr pjesë në një projekt të tillë, përfundimisht ajo nuk do të jetë më legjitime dhe do të duhet të japë dorëheqjen. Nëse ajo nuk e bën me dëshirë, kombi shqiptar do të duhet të marrë në dorë fatet e tij.