Tjetër skandal te Manchester United

Manchester United është kthyer në epiqendrën e skandaleve përgjatë javëve të fundit.

Pas rastit të Mason Greenwood, talljeve të lojtarëve ndaj zv. trajnerit Chris Armas, duke e krahasuar me aktorin komik amerikan, Ted Lasso, çështjes së shiritit të kapitenit, së fundmi është zbuluar se brenda kampit të “Djajve të Kuq” futbollistët kanë përdorur një metodë aspak profesionale për të evituar aktivizimin në ndeshjet delikate në transfertë në kohën kur ekipi drejtohej nga Ole Gunnar Solskjaer. Lojtarët justifikoheshin me pretekstin se kanë probleme fizike për të shmangur zhvillimin e sfidave, duke përfituar edhe nga karakteri i butë i ish-teknikut norvegjez në dhomat e zhveshjeve.

Pas shkarkimit të Solskjaerit në muajin nëntor, frenat e ekipit i mori Ralf Rangnick, duke përmirësuar ndjeshëm rezultatet, teksa në 15 ndeshje në drejtimin e 20 herë kampionëve ka regjistruar 8 fitore, 5 barazime dhe vetëm 2 humbje.

Megjithatë, kur është njoftuar me veprimin e lojtarëve, 63-vjeçari është ballafaquar me disa nga futbollistët duke krijuar dhe debate të ashpra. Por dy fitoret radhazi ndaj Brightonit dhe Leedsit kanë ftohur ndjeshëm gjakrat, ndërsa fokusi kryesor është zhvendosur tek Atletico e Madridit në Ligën e Kampionëve.

Manchester United do të jetë nën udhëheqjen e gjermanit Rangnick deri në fund të edicionit, më pas ai do të marrë detyrën e konsulentit të klubit. Synimi mbetet i qartë: pozicionimi në një nga 4 vendet e para në kampionat si dhe avancimi sa më larg në Champions League. Rangnick do të ketë një rol kyç në përzgjedhjen e trajnerit të ri, pozicion për të cilin janë në balotazh Mauricio Pochetino dhe Erik ten Hag.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

“Ukraina e braktisur në këtë tragjedi”, diplomati shqiptar: Rusia mund të fitojë një betejë, por jo luftë

Story i radhës

BE-ja vendos sanksione ndaj Rusisë

Të fundit nga