Titistët dhe enveristët

February 1, 2022
min lexim

Propaganda jugosllave në gjuhë të kombeve dhe të kombësive, synonte të jepte përshtypjen sikur e gjithë bota mezi prisnin, ose ishin në prag të përqafimit pa asnjë kusht të socializmit jugosllav vetëqeverisës. S’kishte ditë e natë që nuk jepeshin raporte të gjëra e analiza të cituara nga shtypi majtist perëndimor (asnjëherë nuk thuhej se ato gazeta janë të majta apo të djathta), s’kishte broshurë ku nuk shkruhej sikur ato shtete janë mahnitur me vetëqeverisjen. Ditë e natë përsëriteshin shkrime të këtilla afirmative në gazeta, radio, televizione dhe në “zhurnale” para fillimit të filmave në kinema; ditë e natë prezantoheshin si personalitete ndërkombëtare ata të cilët e ngrinin në qiell komunizmin jugosllav; fascinoheshin më të arriturat e kombeve e kombësive dhe ua preferonin gjithë botës si model. Askujt s’i shkonte ndër mend ta thoshte të kundërtën brenda, sepse s’kishin ku e shprehnin mendimin ndryshe dhe s’ua mbante. Shumica e popullatës së paarsimuar e të painformuar e besonin këtë propagandë, në pamundësi ta dëgjonin mendimin tjetër. Pakica e ngulfatur qeshnin me cinizëm, ose e shtypnin butonin e televizorit për ta fikur. Shqiptarët nuk çonin peshë në detin e sllavëve të jugut, meqë sllavët e jugut e përqafuan komunizmin pa rezervë.

Komunizmi jugosllav prezantohej si komunizëm “human”, ndërsa harrohej se jugosllavët “human” vranë pesëdhjetë mijë shqiptarë të Kosovës, shpërngulën me dhunë 250 mijë të tjerë në Turqi, dhe kalbën në burg apo në tortura mizore pjesën më vitale të kombit. Nuk është se u sollën butë as më kundërshtarët politik të kombeve të tjera (Goli Otoku ishte ndër burgjet më të frikshme në planet), por ata nuk i vranë në masë. Sidomos u sollën keq edhe me kroatët, por ndaj shqiptarëve komunizmi jugosllav, modeli “human” i Perëndimit dhe i Lindjes pati një egërsi të paparë.

Ndërkohë miliona shtetas iknin nga “parajsa vetëqeverisëse” në kërkim të punës, standardit dhe lirisë. Prapë shqiptarët e Kosovës iknin më së shumti (më vonë kjo mundësi e shpërthimit të kufijve nga bashkëkombësit përtej alpeve do t’u merrej si humanizëm e komunizmit jugosllav para atij stalinist!). Perëndimi i pranonte duar hapur, sepse i duhej fuqia punëtore e pakualifikuar, që mund ta kthente mbrapshtë kur të mos ua kishte nevojën. Kundërshtarët politik në emigracion Jugosllavia i luftonte mizorisht me likuidime e pa zhurmë. Ndërkaq, propaganda vazhdonte për parajsën komuniste…

Sekti tjetër: komunizmi shqiptar

Komunizmi stalinist i Enver Hoxhës bëri mizori monstruoze kundër shqiptarëve. Komunizmi enverist, model i atij jugosllav ishte ngjizur nga dy serbë: Mugosha e Miladini, por ishin si puna e fesë më dy sekte.

Në të njëjtën kohë dhe më të njëjtin intensitet propagandonte media shqiptare marksizëm-leninizmin me Enver Hoxhën në ballë të luftës kundër botës imperialiste, revizioniste dhe kundër “izmave” të tjerë. Duke u zënë më të gjithë, Radio Tirana, Televizioni shqiptar, gazetat e ditës dhe broshurat që shpërndaheshin propagandonin sikur e gjithë bota perëndimore nga Italia në Australi, nga Norvegjia në Kanada, tashmë prisnin në radhë të bëheshin shtete marksistë- leninistë me qendër të frymëzimit shpirtëror Tiranën, dhe ishte vetëm çështje ditësh kur do të përmbysej “kapitalizmi i qelbur”.

‘Rritet dhe forcohet marksizmi- leninizmi” (Radio Tirana) emërtohej një emision i çdo mbrëmshëm ku thuheshin gjëra të këtilla pa reshtur deri në absurd. Intervistoheshin përfaqësues margjinal të grupeve marksiste-leniniste apo njerëz të hurit e litarit, por që e lavdëronin diktatorin Hoxha.

Garat e diktatorëve

Radiostacionet qendrore të republikave e të krahinave nga Lubjana deri në Shkup dhe Radio Jugosllavia në Beograd sajonin emisione për sukseset e komunizmit jugosllav çdo natë. Bota tjetër prezantohej me demonstrata, luftë, pakënaqësi, grusht shteti etj.

Josip Brozi dhe Enver Hoxha, sikurse shumica e diktatorëve të Lindjes shkruanin volume librash, të cilat përktheheshin në shumë gjuhë. Vetëm nuancat ideologjike dhe subjektet e sulmeve ndryshonin, sepse thelbi ishte i njëjtë.

Dhe derisa komunizmi vetëqeverisës pati kundërshtarë të heshtur brenda shtetit, pati edhe ithtarë jashtë shtetit, grupe shqiptarësh përtej alpeve nga propaganda që depërtonte fshehurazi, besonin se titizmi është më i butë se sa enverizmi i tyre, sepse “butësinë” e Titos s’e provuan kurrë mbi kurriz, ndërsa “kopshtin me lule” të Hoxhës e shihnin çdo ditë. Një pjesë e shqiptarëve të Kosovës, po ashtu të ndikuar nga Radiotelevizioni donin të besonin se komunizmi i Enver Hoxhës është më i mirë, më kombëtar, sidomos pas vitit 1981 kur mbetën tmerrësisht të vetmuar më rebelimin kundër hegjemonisë jugosllave. As ata nuk e kishin provuar mbi kurriz “mirësinë” e komunizmit të Enverit, as shqiptarësinë e një mizorie stepash, por josheshin më fjalë mbështetje nga Radio Tirana dhe Televizionin shqiptar.

Qe të dy gjigantët propagandues (Jugosllavia e Shqipëria) kishin instaluar tentakula antenash gjithandej shtetit dhe nëpër zonat kufitare, në mungesë të fabrikave që s’i kishin, apo që punonin me humbje. “Kosovarët” shihnin apo dëgjonin Radiotelevizionin shqiptar; shqiptarët përtej alpeve shihnin Radiotelevizionin e Prishtinës, TV Beogradin apo Radio Jugosllavinë. Dhe një pjesë e tyre andej dhe këndej kufirit, të painformuar sikurse ishin, mahniteshin me diktatorin “human” Titon, apo diktatorin “e mirë” Hoxhën. Të tillëve torishta e tjetrit u dukej më e mirë, më e bollshme, shpëtimtare dhe kopsht me lule. Dhe nga karremi i kësaj propagande rrezikonin jetën për të dal jashtë telave me gjemba. Se çfarë i priste, kemi lexuar e dëgjuar më qindra herë.

Cili diktator është më i mirë?!

Kaluan shumë kohë nga atëherë, mirëpo askujt nuk ia merrte mendja atëbotë se një ditë, bashkëkombësit do të bënin dialog, shpesh herë të serta me mëdyshje absurde: cili qe diktatori më i mirë (Tito a Enveri?) , cili ishte më kombëtar e cili më antikombëtar? Dhe këto debate vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, herë më intensitet të shtuar, herë më mungesë intensiteti. Kurrsesi të shkëputemi nga hija e zymtë e diktatorëve dhe e ideologjive antishqiptare.

Në këtë kohë, kur një pjesë e shqiptarëve të të dy anëve ranë viktimë e propagandës së fuqishme të komunizmit jugosllav dhe atij enverist, u ngjizën mospajtimet, u krijua një ftohtësi e mosbesim. Por sikur nuk e besonin situatën e re, apo sikur nuk donin ta pranonin, grupet e para që komunikuan në mes veti: secili rrëfente tragjedinë e vet, pa e dëgjuar dhe pa e kuptuar tjetrin. “Kosovarët” tregonin krimet e tmerrshme të kohës së Titos, ndërsa merrnin ndonjë përgjigje që i acaronte: Titoja ishte më i mirë se sa Enveri!

Shqiptarët rrëfenin fatkeqësinë e tyre kombëtare më krimet e Enverit në krye të kësaj fatkeqësie, ndërsa bashkëkombësit e tyre të painformuar, apo të mllefosur pse ua lavdëruan diktatorin “e tyre” ua kthenin jo, jo, s’është e mundur Enveri nuk qe si Titoja, ishte më i mirë! Pastaj ndodhte që këto gjëra fryheshin, stiseshin nga titistë e enveristë të tjerë të djallëzuar-mercenarë për hesape të tyre (enveristët e rinj e të vjetër: u kemi thënë se me “kosovarë” nuk bënë; titistët: po bindeni se s’mund të bashkoheni me Shqipërinë!).

Ndërkohë, enveristët e rinj e të vjetër nga Tirana çuditërisht krijuan aleancë të fuqishme me titistët e Kosovës, duke i luftuar forcat atdhetare. Nga Ramiz Alia e deri me tash aleancat titiste-enveriste andej e këndej alpeve funksionojnë në mënyrë djallëzore në dëm të shqiptarëve, duke krijuar një forcë goditëse që të frikëson. Janë struktura të tëra mercenarësh që janë mësuar të jetojnë nga paratë e pista.

Kur zëvendësohet komunizmi me islamizëm

Atyre që u vdiq ideali e më shumë grazhdi komunistë i Titos, atyre që iu shkërmoq komunizmi i Enverit dhe privilegjet – pa pagesa prej mercenarësh, mbetën si huti nën diellin verbues: pa ideologji, pa fe dhe pa atdhe. Kombin asnjëherë s’e patën për zemër, fenë ua prapsi ideologjia komuniste, ndërsa atdheun proletar ua “përdhosi” situata e re. Të mësuar me ideologji, që s’përfillte atdhe, të stimuluar nga paratë që i patën Zot, bënë turr drejtë ideologjisë së re: fundamentalizmit islamik që ua sollën grupet e beduinëve nga shkretëtira. Përqafuan të njëjtën eufori, iu nënshtruan të njëjtës propagandë nga e para. Ashtu sikurse komunizmi i vetëqeverisës, apo komunizmi marksistë- leninistë, që përpiqeshin ta mbysnin me parulla dhe ta budallëllepsnin me ideologji popullatën e paarsimuar, të varfër dhe të hutuar (komunizmi dhe islamizmi janë dukuri të varfërisë së skajshme), duke i mashtruar kinse të gjithë janë të barabartë. Kur i dëgjon predikimet e tyre, kur i lexon revistat dhe pamfletet, habitësh me ngjashmëritë. Të duket sikur u angazhuan të njëjtit njerëz të aparat propagandistik titist e enverist.

Mungesa e ideologjisë kombëtare që do të depërtonte në të gjitha shtresat sociale dhe në tërë hapësirën etnike, ka joshur ata që duan ta dobësojnë qenien shqiptare me ideologji antishqiptare. Hapësira të tëra etnike po ia lëmë propagandës antishqiptare mbi popullatën shqiptare. Dhe të habitë ky ngurrim përballë agresionit ideologjik nga lindja, sepse të kultivosh dashurinë ndaj kombit e atdheut nuk është nacionalizëm; është antikombëtarizëm, nëse lejon që të tjerët të të shajnë me heronj kombëtar e më të kaluar, me fe e me atdhe dhe ti rri indiferentë.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Murati: Rreth 130 mijë persona kërkojnë punë , ja sa kërkojnë në Tetovë

Story i radhës

Johnson do të vizitojë Ukrainën mes shqetësimeve në rritje për një pushtim të mundshëm rus

Të fundit nga

Amerika ka një mbret të ri në video-lojëra

Konsola Nintendo Switch arriti një tjetër rekord. Sipas firmës analitike Circana, gjatë nëntorit të këtij viti, Switch ka tejkaluar rezultatin e shitjeve të PlayStation 2 në tregun e Shteteve të Bashkuara. Sipas
ShkoLartë