Në ditën e dytë të Panairit mbarëkombëtar të librit
akademik dhe shkencor organizuar nga Akademia e Shkencave e
Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës
(ASHAK), u promovua edhe Libri LEGJISLACIONI BAZIK ANTISEMITIK I
MBRETËRISË BULLGARE i botuar nga ITSHKSH, i cli u mirëprit nga një
audiencë e zgjedhur në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Ky promovim ofroi një optikë të gjerë mbi problematikat që ngre libri
, falë edhe debatit të pjesëmarrësve, të cilët me përkushtim ndoqën
këtë ngjarje.
Prof.dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH, duke elaboruar nevojën e
botimit të këtij libri theksoi se veprat e tilla janë pjesë e
strategjisë mbi hulumtimin dhe edukimin e Holokaustit. Ai vuri në
dukje se ITSHKSH është ndër institucionet e para në rajon dhe më gjerë
që ka themeluar Departamentin për huliumtimin dhe edukimin e
Holokaustit, si përgjigje e drejtpërdrejt ndaj dy objektivave
fundamentale – në njërën anë të argumentohet shkencërisht gjithë ajo
përvojë koletive e popullit hebre në kuadër të sakrificave sublime
gjatë ditëve të vështira të Luftës së Dytë Botërore dhe në anën tjetër
të rifreskohet memorja e atyre që mbijetuan holokaustin por edhe të
atyre që i shpëtuan hebrenjt nga kthetrat naziste. Kjo edhe për një
arsye, tha Asani, sepse në diskursin publik në Maqedoninë eVeriut dhe
me gjerë, një kohë të gjatë kishte ekzistuar padrejtsisht një etikë
mbi shqiptarët si gjoja bashkëpunëtorë të fashizmit.Duke themeluar
Departamentin për huliumtimin dhe edukimin e Holokaustit,në një
shoqëri me popullsi dominuese myslimane, ITSHKSH ka demantuar në
mënyrë të argumentuar të gjitha këto akuza dhe pretendime në adresë të
shqiptarëve.
Ndërkaq duke bërë fjalë për librin dhe sidomos mbi qëllimin e botimit
të tij, Dr. Asani, theksoi se Bullgaria e atëhershme cariste, duke u
rreshtuar me Hitlerin, ka dashur të realizojë pjesë të padrejtësive të
pretenduara territoriale ndaj Bullgarisë nga e kaluara që nga
Marrëveshja e Shën Stefanit, duke e shtri dominimin e saj edhe në
Maqedoninë e sotme. Paradoksalisht, tha ai, Bullgaria kishte nxjerrë
ligje antisemite madje edhe më shumë se vet Gjermania naziste, vetëm e
vetëm që të gëzojë përkrahjen e Hitlerit mbi pretendimet e saja
bullgaromëdha.
“Legjislacioni bazik antisemitik i Mbretërisë Bullgare”, është vepër e
parë e këtij karakteri në rajonin tone, tha Dr. Sefer Tahiri, sekretar
shkencor në ITSHKSH i cili duke iu referuar njërit prej bashkautorëve
të librit, Vllado Popovski, tha se Mbretëria Bullgaria aksionin e
asgjësimit të hebrenjve e kishte ndërmarrë me vetënismë dhe pa shtypje
nga ana e Gjermanisë fashiste, meqë nga kjo e fundit priste benefite
tjera.
“Vepra në fjalë trajton hollësisht ligjet kundër – hebraike në
Mbretërinë e Bullgarisë, që janë miratuar nga Kuvendi i Popullor në
periudhën prej janarit të vitit 1941 deri në korrik të vitit 1942, kur
me “Ligjin për urdhërdhënien që Këshilli Ministror t’i ndërmarrë të
gjitha masat për zgjidhjen e çështjes hebraike dhe të gjitha çështjet
tjera, të ndërlidhura me të” ose Ligji i Autorizimeve të Këshillit
Ministror, kompetencat për këtë çështje i delegohen qeverisë
përkatësisht Këshillit Ministror të Bullgarisë”, nënvizoi Tahiri.
Përpos rëndësisë eksplicite studimore nga fusha e legjislacionit, tha
ai, kjo vepër nxjerr në pah edhe një rëndësi tjetër që lidhet me
objektivat e ITSHKSH-së në zhvillimin e mëtejmë të Departamentit për
Studimin dhe Edukimin e Holokaustit.
Ndërkaq udhëheqësi i Departamentit të letërsisë në ITSHKSH, Emin
Azemi, nënvizoi se materia e këtij libri, ashtu siç e kanë ideuar dhe
konceptuar autorët, nxjerr në dritë zbërthimin e doktrinës shtetërore
bullgare, me proviniencë fashiste, ndaj çështjes hebreje. Libri ka
peshën e padiskutueshme të dëshmisë historike-shkencore, përmes
dokumenteve autentike, mbi një politikë të planifikuar dhe mirë të
organizuar naziste kundër popullatës hebreje brenda territorit që
kontrollohej nga administrata fashiste bullgare, përfshi edhe një
pjesë të Maqedonisë së sotme.
“Libri “Legjislacioni bazik antisemitik në Mbretërinë e Bullgarisë”,
duke qenë pjesë e Strategjisë për edukimin mbi holokaustin, e bën
Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në
Shkup një adresë mjaft kredibile të trajtimit të temave me peshë, jo
vetëm të karakterit të ngushtë nacional, por edhe ato me përmasa
globale.
Kjo veprimtari ambicioze e Institutit ndjek përvojat më të avancuara
në fushën e momoaristikës, kurse si shprehje e drejtpërdrejtë e këtij
interesimi është edhe ideja për të sjellë në vëmendjen e publikut tonë
historinë orale përmes rrëfimeve autentike të të mbijetuarve nga
Holokausti dhe të atyre që kontribuuan në shpëtimin e hebrenjve”, vuri
në dukje Emin AZEMI.
Në promovim ishin të pranishëm disa personalitete të shquara të jetës
publike, ndër ta edhe, Petrit Zorba, kryetar i Shoqatës së miqësisë
Shqipëri – Izrael, Rexhep Hoxha një nga protagonistët e dokumentarit “
Besa” kushtuar sakrificave shqiptare në shpëtimin e hebrebjve, Klodeta
Cane , bashkëpuntore e jashtme nga Izraeli e ITSHKSH në temën e
Holokaustit, ambasadori Arben Çejku etj. të cilët gjithashtu me
paraqitjet e tyre kontribuuan në debatin mbi librin “Legjislacioni
bazik antisemitik i Mbretërisë Bullgare”.