Java e 23-të e Abissnet Superiores prodhoi rezultate surprizë, me Laçin që nuk shkoi përtej barazimit pa gola ndaj Egnatias dhe i dha mundësinë Tiranës të shkëputet edhe më shumë në krye, duke çuar në 8 pikë diferencën nga kurbinasit e vendit të dytë.
Bardheblutë e kryeqytetit shënuan dy herë me anë të Taulant Seferit ndaj Teutës, për të triumfuar 0-2 dhe për të shkuar me moral të lartë në derbin e të shtunës ndaj Partizanit në “Air Albania”.
Megjithatë me moral mjaft të lartë vijnë edhe të kuqtë, që kanë rigjetur qetësinë dhe vazhdimësinë nën drejtimin e Dritan Mehmetit, teksa në javën e 23-të triumfuan me rezultatin e thellë 5-0 ndaj Kukësit të Diego Longos, shkruan Supersporti.
Një tjetër sfidë interesante e javës së 23-të ishte padyshim edhe ajo mes Kastriotit dhe Skënderbeut, dy skuadra që luftojnë për mbijetesë, por që në fund ishin krutanët që morën tre pikët, falë fitores me rezultatin minimal 1-0.
Vijon të zhgënjejë edhe Dinamo e Bledar Devollit, me këtë të fundit që nuk e ka provuar ende shijen e fitores në pankinën e kryeqytetasve. “Nëndetësja blu” u mposht me rezultatin 2-1 në Shkodër nga Vllaznia dhe tani e sheh veten në zonën e rënies, me vetëm 20 pikë, tre më tepër se Skënderbeu i vendit të fundit.