Tirana në fund të se zonit mund të “bastiset” nga shitjet e yjeve të saj. Në këtë moment që flasim janë të paktën pesë lojtarë për të cilët ka interesim dhe mund të largohen në fund të sezonit.
Bëhet fjalë për Taulant Seferin, Marsel Ismajlgecin, për të cilin ka oferta konkrete. Po kështu interes ka madje edhe nga Amerika për Visar Bekajn, ndërsa në syrin e menaxherëve ka rënë edhe Redon Xhixha.
Për disa nga lojtarët ka oferta konkrete të cilat mund të konkretizohen deri në fund të sezonit. Vetë presidenti i Tiranës, Refik Halili, bëri me dije se për Seferin ka pasur disa oferta, por u bllokuan nga klubi.
Në fakt, pothuajse për të gjithë lojtarët ka pasur interesim, ndërsa në fund të sezonit, shitja e tyre mund t’u japë bardhebluve më shumë se 2 milionë euro. Vetëm këtë janar Tirana nuk shiti lojtarë, ndërsa klubi ka vendosu çmim dysheme për futbollistët e rinj që kanë mundësi për t’u shitur në skuadra më të forta jashtë Shqipërisë. Kështu, klubi ka vendosur që çmimi minimal për lojtarë si Ismajlgeci, Seferi, Totre, Xhixha, Bekaj dhe të tjerë të nisë nga 300-350 mijë euro.
Kjo është një masë e marrë nga klubi për të treguar se talentet e tyre jo vetëm që vlejnë dhe të interesuarit duhet të shkundin xhepat për të marrë lojtarët e Tiranës. Sigurisht, rregulli i dyshemesë është për lojtarët kryesorë të skuadrës, ndërsa për futbollistët e tjerë situata është e hapur. Veç katërshes që është piketuar nga menaxherët, Tirana ka Totren me një potencial shumë të madh, për të cilin ka interesim, por edhe të rinj të tjerë që janë me shumicë në ekip.
Tirana shpreson që këtë sezon të përsërisë vitin e titullit, duke marrë trofeun dhe shitur lojtarë. 1 milion e 50 mijë euro fituan bardheblutë sezonin e fundit me shitjen e tre lojtarëve: Jurgen Çelhaka, Uinful Kobina dhe Ernest Muçi.
Arkat pritet të mbushen sërish me shitjen e lojtarëve të tjerë, si Ismajlgeci, Bekaj, Seferi, Xhixha e ndonjë tjetër apo edhe futbollistë të tjerë të akademisë bardheblu. 1.2 milionë euro fitoi dy sezone më parë në Europë Tirana, kampione e Shqipërisë në futboll, pasi mori titullin e 25-të në histori. Skuadra bardheblu nuk ia doli të shkonte dot në fazën e grupeve, pasi u eliminua nga Jang Bojsi, ndërsa vjet nuk shkoi dot as në Europë.