Djemtë e Lushnjes

min lexim

Nga gara e 6 marsit për Bashkinë e Lushnjes, vura re një gjë, që kandidatët e djathtë nuk sulmuan njëri-tjetrin. Të paktën me aq informacion sa munda të mbledh. Bën atë fushatën e tyre duke u kërkuar qytetarëve votën me bindjen se do ndryshonin fatin e qytetit.

Dhe kishin arsye të mëdha, pasi nga gjoja reformat territoriale apo decentralizimin e pushtetit, Lushnja ka humbur shumë. Gjasat janë që shumë shpejtë të jetë një aneks rrëzë kodrave të Darsisë si për Fierin ashtu edhe për Divjakën. Në kohën e Turqisë ishte një aneks i Beratit. Në kohën e Ahmet Zogut, aneks i Fierit.

Në kohën e Enverit, magazinë e të internuarve dhe hambar i drithërave për shtetin shqiptar. Në demokraci, u luhat me ngritje e zbritje, duke përfunduar sot në një aneks personal të sejmenëve të Edi Ramës, si Braçe, Fino (ndjesë pastë), Ruçi, Balla etj.

Ka katër deputetë, 3 nga e majta dhe 1 nga e djathta. Ata nga e majta nuk i kemi parë ndonjëherë të bëzajnë në parlament. Janë shembulli i përkryer për të rrëzuar mendimin, atë ankimim kur themi, se si është e mundur që nuk kemi një vendali, një nga qyteti në parlamentin shqiptar. Po gjithmonë na përfaqësojnë njëshat apo dyshat e partive.

Ja që Lushnja i ka tre, në qeveri për 9 vjet. Shfaqen vetëm në fushata derë më derë dhe aq. Me përjashtim të rastit kur do promovojmë Enverin etj. Apo të batutave për t’u mbajtur mend. Megjithatë qyteti tkurret madje ka humbur sharmin intelektual për shkak edhe të firove nga pandemia shqiptare e ikjeve masive. Nga ana tjetër, i vetmi investim i një rëndësie për t’u përshëndetur, është ringjallja e resortit të Divjakës apo ruajtjes së frymës bio së kënetës së Karavastasë. Investimet ka qenë vetëm fasada, aq sa sot sheshi tradicional është një mozaik i shëmtuar i angushtisë së hapësirave lushnjare.

Korrupsioni e dëmtoi publikisht duke i arrestuar gjysmën e administratës, kryetar e nënkryetarë, të cilët në raport me kolegët e tyre në Durrës apo Elbasan, ja ca milingona fushe që i përkasin asaj kulture, zë një vend për të rregulluar bythën tënde. Pra ishin kaq arsye madhore që rrotacioni të ndodhte, sa mund të motivonte edhe intelektin e majtë. Por kjo nuk ndodhi. Për rrjedhojë, në bazë të shifrave, i bie të mendojmë se dëmi nuk është rastësor, është pikërisht i qëllimtë. Zë fill nga reformat territoriale, nga marrëveshja Rama-Basha. Zona rurale dominojnë aktualisht mbi Bashkitë e vendit. Kthejeni si të doni, por është tipike strategjia e Erdoganit me reformat e tia, ku sot ai rri në pushtet pikërisht me votat rurale se sa ato të metropoleve.

Në bazë të shifrave gjithmonë, përçarja e së djathtës sot, rrezikon një dominim total të së majtës edhe për një të ardhme të largët. Madje, madje, siç po shihen bathët, ku Basha nguron si derri i haureve për t’u tërhequr, mund të lindi edhe një pol i tretë. Kësisoj pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme mund të rri akoma tek ai 30%-shi tashmë klasik, me një përjetësim tipik enverist, ku Rama mund ta shpalli veten edhe mbret.

Nëse shumë të majtë e shohin si arritje, kjo është rënia më e madhe kombëtare. Megjithatë jemi tek dy djemtë e së djathtës, tek fushata e tyre për të mos bërë të mundur vdekjen e qytetit. Të dy djemtë i përkasin së djathtës. Për më tepër familjeve puro qytetare e tradicionale të qytetit tim. Këtij qyteti që shpesh i ka dhënë udhë deri fatit kombëtar, siç është edhe rasti i kongresit të janarit 1920. Nga ana tjetër dëshmon qartë se sa e distancuar është qendra nga qytetet. Shumë e shohin të pamundur riunifikimin, por zgjidhja është ty, tek modeli i bazës. Një komunikim xhentëlmenësh madje një rigrupim i bazave do e nxjerri jashtë loje qendrën.

Deri sa ata nuk dinë të rigrupohen, merrni në dorë fatet e bindjeve tuaja. Mblidhuni, diskutoni, por jo gjaknxehtë, jo kush ka të drejtë dhe kush jo. Nuk ka kapitull më dobiprurës se sa të mësosh prej humbjes

. E djathta sot ka humbur pikërisht për shkak të mos pjesëmarrjes, indiferencës, mos t’ia prish këtij apo atij…, shumë nuk kanë dalë për të votuar. Por edhe janë stepur për shkak të sharmit fisnor, të votoj këtë, më zëmërohet ai, etj. Pra mblidhuni dhe i jepni udhë fatit të qytetit, por veç me votë ama. Jo me mendësinë, bëje për mua.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Lideri çeçen e falënderon Serbinë

Story i radhës

Tirana. arkat pritet të mbushen sërish me shitjen e lojtarëve të tjerë

Të fundit nga