Siç jeni të njoftuar unë këto ditë me krerët e tjerë fetarë, e vizitova ish presidentin Thaçi dhe udhëheqësit e tjerë politik në Hagë.
Ky ishte një obligim moral për ne që mos t´i harrojmë figurat tona, të cilët aq shumë kanë bërë për çlirimin e Kosovës.
Ne me këtë dëshmuam se krerët politik të Kosovës, kur janë në pyetje atdhetarët e kombit dhe vlerat e tij, jemi të bashkuar duke dhënë gjithçka për çështjen e atdheut tonë.
Po ashtu ne ishim së bashku në Paris kur e patëm shoqëruar Ramën, pas sulmeve terroriste, por po ashtu dëshmuam edhe sot se ne qëndrojmë pranë njerëzve të kombit tonë.
Ish presidenti Thaçi është ai i cili ka bërë më së shumti, pas çlirimit e këndej, për komunitetin tonë fetar.
Ai na e hapi rrugën për shtimin dhe rritjen enorme të besimtarëve, duke lejuar donacionet për ndërtimin e xhamive që sot e kemi mbushur çdo skaj të Kosovës.
Mos lejoni që të dezinformoheni se kinse është zbuluar një dokument ku këto plane mbi fenë myslimane, ndërtimet e kulteve fetare në vende publike dhe më të frekuentuara, afër rrugëve ( autobaneve ), shkollave etj. ishte në programin e qeverisë serbe.
Mua më duhet ta ceku se ish kryeministri Bajram Rexhepi kishte deklaruar se ishte i gatshëm të intervenonte në mënyrë që komuniteti ynë të mos ketë këtë tretman dhe këtë rol që e ka sot në Kosovë.
Ai madje kishte planifikuar që ti frenonte thirrjet e ozonit me këtë lartësi të zërit që sot e kemi nga xhamitë tona. Ishte pikërisht ish presidenti Thaçi i cili e frenoi me të drejtë ish të ndjerin Bajram Rexhepin, duke u radhitur në anën tonë.
Ne sot kemi marr fuqi sa që imamët tanë me sukses konkurrojnë dhe u kundërvihen akademikëve dhe institucioneve që ushtrojnë kritikë ndaj nesh. Ju vetë ishit dëshmitarë se si njëri nga ne iu kundërvu Kryetarit të Akademisë zotit Mehmet Kraja kur ai ushtroj kritikë se nëse vazhdojmë kështu të mos çuditemi nëse një ditë, do të përfundojmë si republikë islamike
Pra për të gjitha këto të mira që i kishte bërë ish presidenti Thaçi, ne në shenjë mirënjohje gjithnjë votën tonë, si komunitet mysliman, ia dhuronim ish presidentit tonë Hashimit. Ai për ne ishte dhe mbetet simbol i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, të thotë sot kush çka të dojë, pasi ai s´është këtu.
Të mos keqkuptohemi, unë njësoj do të kisha vepruar sidomos edhe ndaj Haradinajt, Mustafës, Kurtit dhe Vjosa Osmanit, po të ndodheshin në Hagë.
Ne sot kemi arritur që fenë tonë islame ta zgjerojmë, ta afirmojmë, pikërisht duke ndërtuar xhami, shkolla fetare dhe së fundi po insistojmë që shaminë ta fusim edhe në shkolla tona shtetërore.
Ne po ashtu mburremi që të rinjtë tanë kanë bërë kthesë radikale, duke iu kthyer besimit tonë bazë. Sot i mbyllin lokalet afariste duke nxituar që ta falin namazin nëpër xhamitë anembanë Kosovës.
Studentët tanë të premteve në vend se t´i ndjekin ligjëratat nga profesorët e tyre, vijnë ta ndjekin imamin tonë. A s´është kjo një mrekulli që vetëm në Kosovë, Luginë dhe Maqedoni mund të ndodhë. Pra kjo është rinia e jonë studentore, e cila u kthehet rrënjëve të tyre myslimane.
Është edhe një mrekulli tjetër për të cilën dua të ju flas : studentët tanë edhe kur ndodhen nëpër bibliotekat e mësimit në kryeqytet, në kohën e drekës i shtrijnë sixhadetë dhe e falin drekën pikërisht nëpër biblioteka të mësimit (këtë as Rilindasit tanë nuk do të kishin mundur ta imagjinonin ) edhe pse xhaminë nuk e kanë më larg se dy minuta. Ky është një fenomen që shqiptarët vështirë se e kapërdijnë, do të thoshin sot të pafetë.
Unë po premtoi se posa ta inaugurojmë xhaminë të cilën jemi duke e ndërtuar në kryeqytet, e cila do të jetë më e madhja në Ballkan, pikërisht nëse nuk arrij ta emëroi me emrin e Hashimit, po premtoj se lutjen e së premtes do ta bëjë personalisht për ish presidentin Thaçi dhe kompaninë e tij në Hagë.
Unë mbetem i përkushtuar që ish presidenti Thaçi të kthehet sa më parë në Kosovë. Unë për te iu kam lutur Allahut dhe do t´i lutem edhe në të ardhmen.
Rrofshin çlirimtarët tanë në Hagë./ Mars – Rover, shkrim me përmbajtje ironike.