Presidenti i Nigerit, Mohamed Bazoum u ndalua nga elementë të lidhur me regjimentin e rojeve, i cili dyshohet se tentoi një grusht shteti, transmeton Anadolu.
Mediat lokale raportuan se ministri i Brendshëm, Hamadou Adamou Souley dhe presidenti Bazoum u ndaluan në Pallatin Presidencial nga elementë të Regjimentit të Gardës Presidenciale.
Gjatë ditës, në llogarinë e Presidencës në Twitter u shpërnda një informacion se Bazoum dhe familja e tij ishin në gjendje të mirë dhe se elementë të Regjimentit të Gardës Presidenciale kishin nisur një nismë kundër Republikës.
“Ushtria dhe Garda Kombëtare janë gati të sulmojnë nëse elementët e Gardës Presidenciale nuk vijnë në vete”, thuhet në postim. Megjithatë, ky postim u fshi shpejt.
Mësohet se pas nismës qëndron gjenerali Omar Tchiani, i cili ka shërbyer si komandant i Regjimentit të Gardës së Presidentit për afro 10 vjet. Thuhet se Bazoum kohët e fundit donte të shkarkonte gjeneralin Tchiani, i cili mbante të njëjtin post nën presidentin e mëparshëm Mahamadou Issoufou.
Në Niger, i cili fitoi pavarësinë nga Franca në vitin 1960, ka pasur 4 grusht shteti dhe tentativa të panumërta për grusht shteti. Grushti i shtetit të fundit në vend ndodhi në vitin 2010 kur u rrëzua Mamadou Tandja.
Mohamed Bazoum, i cili u zgjodh në shkurt 2021 ishte presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në vend. Përpara se Bazoum të betohej, pati përpjekje për grusht shteti më 31 mars 2021 ndërsa tentativa u shtyp në një kohë të shkurtër.
Bazoum, i cili ishte në Türkiye për një vizitë, i kishte mbijetuar një përpjekjeje për grusht shteti në mars 2022 dhe u kthye menjëherë në vendin e tij. Nigeri në rajonin Sahel konsiderohet si i vetmi aleat i fuqive perëndimore në rajon pasi në Mali dhe Burkina Faso në pushtet erdhën administratat ushtarake.
Teksa Mali dhe Burkina Faso po afroheshin më shumë me Rusinë, Nigeri ishte kundër bashkëpunimit me Grupin “Wagner”.