Iran ka paralajmëruar shtetet e Gjirit Persik se zbatimi i sanksioneve amerikane kundër Teheranit mund të sjellë pasoja serioze për lundrimin e anijeve të tyre në Gjirin e Hormuzit, ndërsa tensionet ushtarake në rajon vazhdojnë të përshkallëzohen.
Zëdhënësi ushtarak iranian Mohammad Akraminia deklaroi se anijet që kalojnë nëpër rrugën strategjike tregtare do të përballen me “pasoja të rënda” nëse nuk bashkëpunojnë paraprakisht me Teheranin.
Paralajmërimi vjen pasi trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror, është reduktuar ndjeshëm për shkak të krizës së sigurisë në rajon.
Ndërkohë, incidentet e sigurisë janë shtuar në Gjirin Persik. Një anije tregtare u godit nga një predhë e panjohur pranë brigjeve të Katar, duke shkaktuar zjarr të vogël, por pa viktima. Autoritetet britanike të monitorimit detar thanë se incidenti ndodhi rreth 43 kilometra në verilindje të Dohas.
Mediat shtetërore iraniane raportuan më vonë se anija lundronte nën flamur amerikan dhe ishte e lidhur me SHBA.
Po ashtu, Kuvaiti deklaroi se kishte neutralizuar dronë që kishin hyrë në hapësirën e tij ajrore, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe njoftoi se mbrojtja ajrore kishte rrëzuar dy dronë që sipas autoriteteve vinin nga Irani.
Kriza u përshkallëzua më tej pas incidenteve të së premtes mes forcave iraniane dhe marinës amerikane. SHBA pretendon se Irani sulmoi tre anije luftarake amerikane me raketa, dronë dhe mjete të vogla detare në një “sulm të paprovokuar”.
Burimi: botasot.info


