Tensionet Kosovë-Serbi, komandanti i parë i KFOR-it: Në Veri ekziston një grup kriminal multietnik, situata mund të përshkallëzohet

min lexim

Situata në Veriun e Kosovës u tensionua në ditët e para të muajit gusht kur qytetarët serbë vendosen barrikada pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për zbatimin e masave reciproke për targat dhe hyrje/daljet e shtetasve serbëve në Kosovë.

Për gjeneralin gjerman, Erhard Buhler, komandant i parë i KFOR-it në Kosovë, këto pamje s’janë të reja.

Në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, Buhler thotë se edhe pas dy dekadave ende i ka në memorie emrat e grupeve kriminale që vepronin në Veriun e Kosovës.

Madje, thekson se edhe kishin grumbulluar shumë informacione të cilat më pas i janë dorëzuar EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

“Po. I mbaj mend mjaft mirë emrat. Ekziston një grup multietnik i kriminelëve që u pasuruan në këtë zonë pa pothuajse asnjë sundim të ligjit deri më sot. Ne mblodhëm shumë informacione të inteligjencës ushtarake dhe ia dhamë EULEX-it dhe Policisë së Kosovës për ta shndërruar inteligjencën në prova, që mund të përdoren për të akuzuar këta kriminelë në gjykata”, thotë Buhler.

Gjenerali gjerman vuri në pah se ‘’sheh potencial përshkallëzimi’’, deri sa potencon se Kosova dhe Serbia janë shumë larg një akordi për pajtim.

‘’Por unë mendoj se nuk është koha për përshkallëzim, por për deeskalim dhe pajtim. Kur bëhet fjalë për pajtimin, kjo i drejtohet kryesisht, por jo ekskluzivisht lidershipit aktual politik në Beograd, veçanërisht atyre që ishin në një mënyrë apo në tjetrën pjesë të regjimit të Millosheviçit. Mendoj se shumë njerëz në Serbi dhe në Kosovë janë shumë më larg kur bëhet fjalë për pajtimin’’.

Sylejman Selimi dhe Erhard Buhler
Buhler, ka qenë kritik edhe ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë, duke shtuar se ‘’në shumë pjesë të shoqërive në Evropë, masa të tilla perceptohen si fëmijërore dhe qesharake’’.

‘’Por, ju duhet të jeni të vetëdijshëm për ndikimin në opinionet evropiane dhe aftësinë e qeverisë serbe për ta përdorur atë në komunikimin e tyre strategjik. Kosova është dhe mbetet vend multietnik dhe është e përkushtuar ndaj vlerave evropiane, ky duhet të jetë mesazhi’’.

Kur pyetet për anëtarësimin e Kosovës në NATO, Buhler tregon se është bërë shumë gjatë viteve të fundit, por ende ka punë për t’u bërë.

‘’Kosova duhet të vazhdojë të punojë në ndërveprimin e NATO-s të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Ushtrisë së ardhshme. Duhet të jetë një vlerë e shtuar integrimi i kësaj force në Strukturën e Forcave të NATO-s.

Erhard Buhler dhe ish-presidentja Atifet Jahjaga
Intervista e plotë e ish-komandantit të parë të KFOR-it në Kosovë, Erhad Buhler, dhënë për Albanian Post

Albanian Post: Kohët e fundit situata në veri të Kosovës është tensionuar. Serbët i bllokuan rrugët. A ju kujtohet, e bënin këtë sa herë që Qeveria e Kosovës përpiqej të shtrijë sovranitetin edhe në atë pjesë?

Dhe a mendoni se këtë herë situata mund të ishte përshkallëzuar, duke parë reagimet në Kosovë dhe Serbi?

Erhard Buhler: Epo, ata e kanë bërë atë në të kaluarën dhe do ta bëjnë ndoshta në të ardhmen. Është bërë model për demonstrata kundër çdo vendimi të Qeverisë së Kosovës për veriun. Shumë kohë, situata në veri është pranuar si një zonë pa sundim të ligjit dhe me një lloj statusi të veçantë në krahasim me Jugun, fatkeqësisht edhe nga përfaqësuesit e OKB-së, BE-së dhe në fillim edhe nga disa kontingjente të KFOR-it. Kjo çoi në një situatë ku grupet kriminale multietnike dhe grupet radikale dhe nacionaliste serbe plotësuan boshllëkun dhe shfrytëzuan qytetarët serbë të frikësuar dhe të shqetësuar në veri. Më shumë se në të kaluarën, disa politikanë në Serbi e përdorin këtë përzierje për hir të interesave të tyre dhe aplikojnë një retorikë luftarake të paprecedentë.

Për shkak të kësaj të fundit që sapo thashë, shoh potencial përshkallëzimi. Por unë mendoj se nuk është koha për përshkallëzim, por për deeskalim dhe pajtim. Kur bëhet fjalë për pajtimin, kjo i drejtohet kryesisht, por jo ekskluzivisht lidershipit aktual politik në Beograd, veçanërisht atyre që ishin në një mënyrë apo në tjetrën pjesë të regjimit të Millosheviçit.

Mendoj se shumë njerëz në Serbi dhe në Kosovë janë shumë më larg kur bëhet fjalë për pajtimin. Vështirë se dihet në pjesën tjetër të Evropës se ka liri të lëvizjes për qytetarët serbë në Kosovë për të takuar miqtë dhe të afërmit ose për të udhëtuar përmes Kosovës në Shqipëri dhe Mal të Zi në udhëtimin e tyre në bregdetin Adriatik. Nuk dihet se Serbia për 11 vite ka vendosur regjim pasaportash dhe targash për qytetarët kosovarë.

Albanian Post: Si e keni parë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet për targa dhe dokumentin për hyrje/dalje të shtetasve serbë?

Erhard Buhler: Ju mund të argumentoni se është koha për t’u përgjigjur me masa reciproke. Por ju duhet të jeni të vetëdijshëm për ndikimin në opinionet evropiane dhe aftësinë e qeverisë serbe për ta përdorur atë në komunikimin e tyre strategjik. Në shumë pjesë të shoqërive në Evropë, masa të tilla perceptohen si fëmijërore dhe qesharake.

Nuk e shoh aq kritike, sepse jam i vetëdijshëm për sfondin dhe historinë. Megjithatë, në vend që të rrezikojë dëmtimin e imazhit të Kosovës në Evropë dhe përshkallëzimin e mëtejshëm, i cili ka potencial të jetë kundërproduktiv ndaj qëllimit kryesor të Kosovës për integrim të mëtejshëm në BE, unë do të rekomandoja të mos bëni asgjë që mund të perceptohet si shaka ndaj qytetarëve serbë, por për të komunikuar atë që qeveria serbe u ka imponuar qytetarëve kosovarë në 11 vitet e fundit. Kosova është dhe mbetet vend multietnik dhe është e përkushtuar ndaj vlerave evropiane, ky duhet të jetë mesazhi.

Në anën tjetër, gjithmonë kam shprehur mendimin tim për të zbatuar sundimin e ligjit në veri të Kosovës dhe inkurajoj faktorët ndërkombëtarë dhe qeverinë që të vazhdojnë ta bëjnë këtë.

Por një përzierje e të dyjave, zbatimi legjitim i shtetit të së drejtës dhe masave reciproke politike apo hakmarrjes vështirë se do të kuptohen dhe kanë një potencial për përshkallëzim të mëtejshëm. Faktorët ndërkombëtarë duhet të mbështesin zbatimin e sundimit të ligjit pa hezitim dhe të thërrasin politikanët serbë për pajtim dhe justifikim për vuajtjet e pamatura të shumë njerëzve të Ballkanit gjatë dhe para luftës.

Albanian Post: Si është i organizuar KFOR-i kur ka situata të tilla në veri?

Erhard Buhler: KFOR-in duhet ta shohim në kontekstin më të gjerë të NATO-s. Edhe nëse KFOR-i ka sot një prani shumë më të vogël në Kosovë, NATO në tërësi do të garantojë një mjedis të sigurt në Kosovë. NATO dhe KFOR-i kanë planet dhe masat e nevojshme.

Albanian Post: Gjatë kohës që shërbenit në Kosovë, a kishit informacion se kush qëndron prapa grupeve kriminale në veri?

Erhard Buhler: Po. I mbaj mend mjaft mirë emrat. Siç thashë, ekziston një grup multietnik i kriminelëve që u pasuruan në këtë zonë pa pothuajse asnjë sundim të ligjit deri më sot. Ne mblodhëm shumë informacione të inteligjencës ushtarake dhe ia dhamë EULEX-it dhe Policisë së Kosovës për ta shndërruar inteligjencën në prova që mund të përdoren për të akuzuar këta kriminelë në gjykata. Kam parë disa përmirësime në vitet e fundit për shkak të rritjes së kapaciteteve të Policisë së Kosovës, por fatkeqësisht jo një ndryshim thelbësor dhe i qëndrueshëm.

Albanian Post: Këtë muaj është arrestuar edhe një spiune ruse duke tentuar të hyjë në Kosovë përmes pjesës veriore, mendoni se Rusia ka gisht në trazirat në pjesën veriore apo po përpiqet të bëjë diçka të tillë?

Erhard Buhler: Nuk komentoj hetimet në vazhdim, por duke folur për Rusinë, është e qartë për mua se Rusia ka interes të ruajë dhe të rrisë ndikimin e saj në Ballkan. Rusia po e mbështet Serbinë në shumë aspekte siç e dimë. Ata kanë interes të ngrijnë situatën ashtu siç është.

Largimi nga konfliktet e ngrira është pjesë e strategjisë së tyre në shumë pjesë të botës. Aq më shumë është e nevojshme që ne të vazhdojmë dhe të bëjmë gjithçka për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe më në fund në NATO. Është në interes të BE-së dhe NATO-s, nuk është donacion për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Serbisë duhet t’i kujtohet të vendosë në cilën anë do të donte të ishte. Marrja e përfitimeve nga njëra anë dhe kërkimi i udhëzimeve dhe mbështetjes politike nga pala tjetër nuk është e pranueshme.

Albanian Post: Duke parë situatën gjeopolitike në rajon dhe në botë, Kosova synon të bëhet anëtare e NATO-s, sa janë shanset që Kosova të pranohet në këtë institucion?

Erhard Buhler: Siç thashë, është gjithashtu në interesin strategjik të NATO-s që ta integrojë Kosovën si të tjerët në Aleancë. Por situata është si është. Kemi katër nga 30 anëtarë të NATO-s në të ardhmen e afërt që nuk e mbështesin pavarësinë e Kosovës për shkak të gjendjes së tyre të brendshme politike.

Ne duhet të vazhdojmë t’i bindim ata se këto interesa strategjike afatgjata janë më të rëndësishme se konsideratat afatshkurtra kombëtare. Nga ana tjetër, të gjitha palët e interesuara në Ballkanin Perëndimor duhet të bëjnë të pamundurën për të zgjidhur dhe tejkaluar konfliktet e ngrira në rajon në një dialog paqësor.

Së dyti, Kosova duhet të vazhdojë të punojë në ndërveprimin e NATO-s të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Ushtrisë së ardhshme. Duhet të jetë një vlerë e shtuar integrimi i kësaj force në Strukturën e Forcave të NATO-s. Është bërë shumë gjatë viteve të fundit, por ka ende punë për të bërë.

Albanain Post: Vitin e kaluar, helikopterët serbë kanë hyrë në territorin e Kosovës, aty ku ishin vendosur forcat speciale të policisë së Kosovës. Cilat janë kompetencat e KFOR-it sipas marrëveshjes së Kumanovës në raste të tilla, si duhet të reagojë?

Erhard Buhler: Nuk jam në dijeni për këtë ngjarje konkrete që përmendët. Por për vite me radhë, KFOR-i ka mbajtur një organizatë efektive ndërlidhëse me Ushtrinë Serbe për të zgjidhur këto çështje. Shpesh herë, kjo nuk ka qenë një shkelje e qëllimshme e kufirit, por ka qenë për shkak të një përcaktimi të paqartë të vijës kufitare administrative të NATO-s.

Ky problem daton që në ditët e para të operacionit të KFOR-it. Ndërkohë, dhe pas digjitalizimit të dokumenteve kadastrale të Serbisë dhe ish-krahinës së saj, kufiri aktual është mjaft i qartë. Prandaj, unë propozova më shumë se dhjetë vjet më parë përshtatjen e vijës kufitare administrative të NATO-s në vijën kadastrale të pranuar përgjithësisht për të shmangur çdo keqkuptim./Albanianpost.com

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Punimet për zgjerimin e rrugës Gjakovë-Pejë po i revoltojnë gjakovarët

Story i radhës

Konflikte pas divorcit, ish-burri tenton t’i marrë pa leje vajzën, gruaja kërkon ndihmën e policisë

Të fundit nga