Punimet për zgjerimin e rrugës Gjakovë-Pejë po i revoltojnë gjakovarët

Punimet në infrastrukturën nëntokësore në zgjerim të rrugës nga Gjakova drejt Pejës kanë shkaktuar kolona e telashe të mëdha për banorët e kësaj ane, por edhe vetë bizneset.

Derisa qytetarët shprehen të revoltuar që punimet po zhvillohen në kohën kur fluksi i qarkullimit është më i madh për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve, nga komuna sqarojnë se vonesat e kompanisë KWE i kanë shtyrë punimet. Ndërsa opozita investimet në këtë rrugë i konsiderojnë keqpërdorim të parasë publike.

Dan Ademaj, banor i Gjakovës, shprehet i revoltuar me tollovinë që kanë shkaktuar punimet në këtë rrugë. Ai këshillon komunën që këto punime t’i kryejë gjatë kohës së dimrit.

Ademaj: Punimet duhet të zhvillohet në dimër e jo kur të vijnë bashkatdhetarët

“Jashtëzakonisht shumë edhe ia qëllojnë bashkë kur ka parafushatë zgjedhore, krejt është fushatë zgjedhore në Kosovë dhe shkaktojnë kur vijnë mërgimtarët vazhdimisht e lënë vetëm kur të vijnë ata, tollovi e madhe vetura shumë, pluhur… Shumë problem është dhe ka njerëz shumë, lëvizje të mëdha, shumë pluhur, kanë mjaft kohë gjatë dimrit dhe është më lehtë kur nuk ka bashkatdhetarë këtu”, deklaroi Ademaj.

Edhe Fisnik Mici fajëson komunën për tollovinë dhe vonesat që po u shkaktohen atyre.

Mici: Punimet në rrugë na kanë shkaktuar telashe

“Po e shihni edhe vetë telashe më të madhe më nuk di për nga dy-tri orë më prapa mbesim….është vështirë, por çfarë të bëjmë… pushtetarët i kanë fajet. Ata le të bëjnë zgjidhje e jo në këtë sezon e në këtë guzhmë të na ngarkojnë kështu”, u shpreh ky qytetar.

Investimet infrastrukturore në rrugën drejt Pejës i konsideron si keqpërdorim të buxhetit komunal asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë, Ngadhnjim Dana.

Dana për KosovaPress thotë se nga këto punime dëmi që po u shkaktohet bizneseve dhe qytetarëve është i madh.

Dana: Dëmi që po u shkaktohet bizneseve dhe qytetarëve i madh

“Ironia këtu është se e njëjta rrugë është në fazën e shpronësimit ku edhe pretendohet të zgjerohet kjo rrugë. Dëmi që po u shkaktohet bizneseve dhe qytetarëve është tejet i madh, se kjo po i bie se kjo rrugë duhet sikurse edhe shumë rrugë të tjera në Gjakovë do të hapen dhe riparohen, hapen dhe mbyllen për të satën herë. Kjo mund të themi se është keqpërdorim dhe keqmeanxhim nga komuna si për nga buxheti, si për nga projekte të tjera…Kjo po i dëmton jo vetëm banorët e lagjes duke marrë parasysh se është një aks shumë i rëndësishëm dhe e ndërlidh edhe me shumë fshatra të komunës sonë, por edhe me Deçan dhe Pejë. Aty nuk është paraparë ndonjë zgjidhje qoftë edhe përkohshme”, u shpreh Dana.

Për të gjitha këto akuza ka përgjigje drejtori i Shërbime Publike në Gjakovë, Shkumbin Kastrati, i cili për KosovaPress sqaroi se ky projekt ishte planifikuar të niste më herët, por vonesat e kompanisë bashkëpunuese KWE i kanë shtyrë punimet.

Sipas tij punimet në kolektorë do të përfundojnë brenda 3 javësh, ndërsa theksoi se aktualisht janë në proces të përzgjedhjes së operatorit ekonomik për punimet në këtë rrugë.

Kastrati: Jemi në procedurë të përzgjedhjes së operatorit ekonomik

“Projekti i zgjerimit të rrugës për Pejë është dashur të fillojë më herët, mirëpo për shkak se ne jemi në bashkëfinancim me KWE për ndërrimin e kolektorëve për ujërat e zeza, kemi qenë të detyruar t’i presim investitorët e jashtëm për t’i përmbyllur investimet e veta në infrastrukturën nëntokësore… Qeveria gjermane dhe zvicerane kanë filluar të punojnë me intensitet të lartë. Besojmë që punët e tyre do të përfundojnë brenda dy jave apo tri jave deri tek ish-Emin Duraku, aty ku pritet të përfundojë zgjerimi i rrugës për Pejë, ndërsa në momentin kur ata të përfundojnë punimet e infrastrukturën nëntokësore, Kuvendi Komunal veçse është në procedurë të përzgjedhjes së operatorit ekonomik për fillimin e punimeve. Sivjet presim që të nisim me fillimin e punimit të një lloti do të punohet një llot në vlerë 300 mijë euro, segmenti djathtas prej Landistarit deri tek Emin Duraku, për të mos e bllokuar komunikacionin, ndërsa vitin e ardhshëm do të vazhdojmë me punime të zgjerimit të rrugës me katër korsi, i cili projekt do të filloj nga gjykata e do të përfundoj deri tek ish-Emin Duraku”, tha ai.

Lidhur me kërkesën që punimet të zhvillohen kur ka më pak fluks të qytetarëve, Kastrati tha se lloji i punimeve që po bëhen në atë zonë kërkon mot të mirë.

Kastrati: Infrastruktura nëntokësore zakonisht bëhet verës

“Infrastruktura nëntokësore zakonisht bëhet verës, aq më tepër kur gërmimet në kolektorët kryesorë përgjatë rrugës zgjerimi i rrugës për Pejë kanë shtuar deri në 7 metra, dhe në momentin kur gërmimet kanë shkuar në thellësi të tillë është e pamundur mos me pas bllokada për shkak të rrezikshmërisë“, u shpreh ai.

Ndryshe, në komunën e Gjakovës janë duke u bërë investime infrastrukturore edhe nëpër shumë lagje brenda qytetit.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Gazi rus në Evropë, kjo është situata e furnizimit

Story i radhës

Tensionet Kosovë-Serbi, komandanti i parë i KFOR-it: Në Veri ekziston një grup kriminal multietnik, situata mund të përshkallëzohet

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish