Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se shteti shqiptar është shndërruar në një makineri të tmerrshme të vjedhjes së qytetarëve. Nga Dibra, kreu i PD-së teksa iu referua inceneratorëve deklaroi se Rama di çfarë firmos, por ai vjedh.
Sipas tij, Rama firmosi 420 mln euro dhe sot nuk është në punë asnjë incenerator.
Po ashtu, një shqetësim që ngriti Sali Berisha janë edhe tenderat sekret, që sipas tij janë rritur 18 herë. Ish-kryeministri u shpreh se kjo qeveri tenderat sekret po i bën ligj.
“Shteti është shndërruar në një makineri të tmerrshme të vjedhjes së qytetarëve. A mundet që një kryeministër të firmosë 420 mln euro për djegësat dhe mos ketë sot asnjë djegës në punë dhe si përgjigjet: Po, ashtu firmos unë fet e fet. Po ato janë qindra miliarda të këtyre njerëzve. Ti di cfarë firmos, por ti vjedh. Prandaj ikin shqiptarët.
Tenderat sekret janë rritur me 18 herë. Këto bëhen shumë rrallë. Këta e kanë bërë ligj tenderin sekret.
Vjedhin në mënyrë të tmerrshme me pasurinë publike. Merr 1 mln metër katror në portin e Durrësit dhe thotë do ndërtoj Dubain me paratë e drogës. Të njëjtën gjë bën edhe me Butrintin. Vendi është në rrezik, ne këtë nuk e shpikim”, tha Berisha.
Berisha iu referua edhe marrëdhënieve të Ramës me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të cilin tha se ai i paraqet shqiptarët si terroristë.
“Vucic na paraqet ne si terrorist. Shqiptarët po terrorizojnë serbet. Serbët po torturohen thotë ai. Ose NATO ti ndalë ose do ti ndalim vet. Unë ju them se nuk ka minoritet më të mbrojtur sesa minoritet serb në Kosovë.
Të gjitha organizmat ndërkombëtare e mbikëqyrin. Unë që po ju flas si kryeministër jam marrë me përkushtimin e tyre me fondet e qeverisë shqiptarë kemi investuar për ta. Kush po e kërcënon minoritetin serb, Vucic dhe urrejtja e tij ndaj shqiptarëve. Vucic është vëllau i Edi Ramës.
Edi Rama u bë avokati i tij në samitin e NATO-s. Jo i tha shteteve të NATOs mos i kërkoni pse nuk po zbaton sanksionet e Rusisë”, u shpreh Berisha.