Temperaturat e ulëta dhe përkeqësimi i menjëhershëm i motit ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të ndajë një listë me këshilla për të gjithë qytetarët në një situatë kritike.
Në udhëzues theksohet se ekspozimi ndaj temperaturave të ulëta mund të shkaktojë probleme të rënda shëndetësore duke cilësuar se kategoritë më të rrezikuara mbeten foshnjat, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.
Gjithashtu, me rëndësi në këtë periudhë shihet edhe mbajtja e rezervave ushqimore, lënia jashtë e bombolave të gazit, mbrojtja nga monoksidi i karbonit dhe veshja e ngrohtë dhe e rehatshme.
Udhëzuesi i Ministrisë së Shëndetësisë:
Kujdes!
Ekspozimi ndaj temperaturave të ulëta mund të shkaktojë probleme të rënda shëndetësore.
Kategoritë më të rrezikuara nga i ftohti janë:
Foshnjat
Të moshuarit
Të sëmurët kronikë
Kujdesuni në mënyrë të veçantë për këto kategori, të cilët janë më të rrezikuar nga temperaturat e ulëta të dimrit.
Si të kujdeseni për veten gjatë ditëve të ftohta:
Siguroni ambient të ngrohtë e me temperaturë konstante në shtëpi dhe punë.
Vishuni me veshje sa më të rehatshme të ngrohta, rezistente ndaj erës dhe shiut, kapelea dhe doreza, si dhe këpucë kundër ujit
Konsumoni produktet e stinës në sasi të mjaftueshme. Ushqimi i siguron trupit energji dhe ngrohtësi në ditë të ftohta.
Merrni masa paraprake për rastet e emergjencave.
Mbani në shtëpi si rezervë për rastet ekstreme të motit ujë të pijshëm dhe ushqime, të cilat nuk kanë nevojë për frigorifer.
Mbroni familjen tuaj nga monoksidi i karbonit.
Mbani bombolat e gazit jashtë shtëpisë, bodrumit apo garazhit.
Lini menjëherë shtëpinë dhe njoftoni autoritetet, në rast se nuhasni praninë e gazit.