Përgjatë viteve kemi parë shpejtësitë e karikimit të smartfonëve të shkojnë nga 30 minuta në 15 minuta, por edhe kjo e fundit për Xiaomi është e ngadaltë.
Me linjën e re Redmi Note 12 prezantuar ditën e Enjte, një prej modeleve me emërtimin “Redmi Note 12 Discovery Edition” dallonte nga të tjerët dhe kjo falë teknologjisë së karikimit prej 210W.
Kjo teknologji kontrollohet nga tre çipe 100W të cilët karikojnë plotësisht baterinë e smartfonit në vetëm 9 minuta.
Për ti vënë gjërat në perspektivë, teknologjisë Xiaomi 120W HyperCharge dhe Oppo SuperVOOC 150W ju duhen 15 minuta për të karikuar një bateri 4,500 mAh.
Redmi Note 12 Discovery Edition vjen me procesorin e rangut të mesëm MediaTek Dimensity 1080, ekran 6.67-inç OLED me rezolucion 2400×1080 dhe frekuencë 120Hz, një kamër të pasme 200-megapiksel(me sensorin e ri të Samsung HPX), kamër frontale 8-megapiksel, kamër macro 2-megapiksel dhe kamër selfie 16-megapiksel.
Telefoni ka një portë kufjesh 3.5mm, një skaner të shenjave të gishtërinjve në butonin anësor, NFC dhe IR.
Ky model vjen me vetëm 8GB RAM LPDDR4X dhe 256GB memorie UFS 2.2. Telefoni Shitet për 330 dollarë. Pavarësisht emërtimit, ai është i bazuar në Redmi Note 12 Pro+ dhe dallimi kryesor është teknologjia e karikimit. /PCWorld Albanian