Nëntë persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri gjatë një koncerti në Strathmore, në qarkun Tulare, në Kaliforninë qendrore të SHBA-së. Një 26-vjeçar ndodhet në gjendje kritike në spital, pasi u qëllua në gjoks dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Ngjarja ndodhi të shtunën, rreth orës 19:30, në një sallë koncertesh ku ndodheshin afërsisht 150 persona. Sipas autoriteteve, persona ende të paidentifikuar hapën zjarr drejt turmës, duke shkaktuar panik dhe kaos.
Përveç 26-vjeçarit, edhe dy të plagosur, të moshës 19 dhe 22 vjeç, kanë pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Gjashtë personat e tjerë kanë pësuar lëndime më të lehta.
Deri më tani nuk ka persona të arrestuar. Sherifi i qarkut Tulare bëri të ditur se hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë e një lidhjeje të sulmit me aktivitetin e bandave kriminale.
Autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të sulmit.
Burimi: botasot.info


