“Të parandalojmë Vdekjen e Trishtë të Shqipërisë”, kandidatja për kreun e FRPD: Rinisë shqiptare, kjo qeveri po i vjedh të ardhmen

August 14, 2022
min lexim

Kandidatja për kreun e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Alesia Balliu, në garën që sapo është çelur nga selia blu, me një postim të gjatë në rrjetin social Facebook ka kritikuar qeverinë Rama për dhjetëra probleme madhore me të cilat ndeshet rinia në vend.

Që nga varfëria ekstreme që i detyron të rinjtë të emigrojnë, te papunësia, rrogat e ulëta dhe problemet e tjera sociale, Balliu nënvizon se faji nuk mund të mbetet jetim dhe pesha e përgjegjësisë i takon Kryeministrit dhe politikave të tij të mbrapshta.

“Dhe në fakt, Rinia Shqiptare, nuk ka asgjë më pak se të rinjtë evropianë, por politikat e mbrapshta të arrogantit të përhershëm të rrugëve të mbrapshta të kryeqytetit, që mban padrejtësisht zyrën kryeministrore, po e detyrojnë atë të braktisin vendin e vet, familjet dhe jetën ndër anët tona, në shumicën e rasteve, pa kthim”, shprehet Balliu.

Postimi i plotë:

Mjerimi është ulur këmbëkryq në Shqipërinë tonë, në vendin tonë, në tokën tonë.

Përditë shoh qartë e më qartë dhe vuaj thellë e më thellë.

Gjendja e bashkmoshatarëve të mi, e ardhmja e këtij vendi, është dhe do të jetë e pasigurtë, e paqartë dhe e pashpresë, në qoftë se tatëpjeta nuk ndalet, dhuna nuk zhduket nga rrugët shqiptare, kontrasti midis një pakice fëmijësh, produkt i “mirëqënies” korruptive të prindërve oligarkë, shërbenjësve të tyre qeveritarë dhe masës në kërkim të përditshëm të mbijetesës dhe një jetë më të mirë, nuk fshihet nga shfaqja e gjithanshme dhe e përditshme publike.

Rinia kërkon një Shqipëri më të drejtë, të ndërtuar mbi punën e ndershme, progresin mbi dijen, shkollën solide që i përgatit për t’u përballur me sfidat universitare dhe kualifikuese kudo në botë. Dhe këto kushte asaj i janë mohuar në Shqipëri, shumë herët, që kur janë në bankat e shkollës 9 vjeçare.

Rinisë Shqiptare i kanë vjedhur shpresën, i kanë vjedhur ëndrrat dhe po e detyrojnë të largohet. Rinia shqiptare merr rrugët e emigrimit për të gjetur derën e hapur gjetkë, drejt askundit. Ajo kërkon të gjejë hapur atë derë që këtu iu përplas para syve në Bllokun e Ri të Tiranës, në Qiellgërvishësit e rinj të Veliajt dhe financuesve të tij të zonave off shore. Të gjithë këto janë produkte të një qeverie të oligarkisë dhe për oligarkinë, kundër qytetarëve dhe rinisë, që në vend të punësimit, u kanë hapur rrugën drejt punëve ilegale në vend.

Ajo po e kërkon këtë derë të shpresës jashtë Shqipërisë, shpesh herë nëpër kalime të rrezikshme ngushticash në Detin e Veriut. Jemi aty ku e lamë në vitin 1997, me ndryshmin se nga Kanali i Otrantos tani kemi dalë në La Manche, duke u kthyer, nga një problem i Europës Mesdhetare në një dramë për Europën mbarë.

Ikja nga Atdheu: është një mënyrë kjo për të shpëtuar nga mizerja, por edhe një guxim për t’ju shmangur alternativës së vetme dhe të “sigurtë”, që i ka krijuar në vend papërgjegjshmëria e Edi Ramës: rreshtim në rradhët e organizatave të strukturuara militare të “Albania Safe Haven of Organized Crime”.

Dhe në fakt, Rinia Shqiptare, nuk ka asgjë më pak se të rinjtë europianë, por politikat e mbrapshta të arrogantit të përherëshëm të rrugëve të mbrapshta të kryqytetit, që mban padrejtësisht zyrën kryeministrore, po e detyrojnë atë të braktisin vendin e vet, familjet dhe jetën ndër anët tona, në shumicën e rasteve, pa kthim.

Brenda një 10 vjeçari veçanërisht në vendin tonë u sajua një rini e ambalazhuar, e parapërcaktuar dhe vulosur, gati për emigracion. Asnjë vend nuk mbijeton dot kështu duke larguar të ardhmen e vet. Si mund të pranojnë shqiptarët politikat e nxitura nga Oligarkët për zhbimjen e shqiptarëve dhe sjelljen e krahëve të punës së lirë nga Lindja e Largët në Vendin e Arbënve?!

Ne kemi një Detyrë Supreme ndaj Atdheut, paraardhësve tanë të Desidencës, ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e këtij vendi: që të punojë dhe të përdorin çdo mjet në dispozicion tonë për të parandaluar Vdekjen e Trishtë të Shqipërisë prej Shpopullimit Total të Orkestruar nga Qeveria e Oligarkisë dhe Heshtja e Opozitës Legale Mosvepruese në Parlament dhe jashtë tij.

Ne jemi e ardhmja e Shqipërisë. Ne duhet të jemi shpresa e Shqipërisë. Ne duhet ti tregojmë rinisë dhe të rinjve që Ky Atdhe Jeton ende, që Shqipëria Nuk Ka Mbaruar , dhe që Shqipëria do të Vazhdojë të Marshojë në Histori si Vend Europian dhe Pro Perëndimor dhe të rikthehet e bëhet Toka që Shëndrin e Arbnisë Heroike.

Kjo është Shqipëria që ne dëshirojmë dhe e ëndërrojmë. Pikërisht për këtë Shqipëri, vatër e dijes, punës dhe prosperitetit në paqe dhe progres të ligjshëm të rinisë, në një shtet të të gjithëve, demokratik, laik dhe europian, ne duhet të luftojmë, jo thjesht të protestojmë dhe të ngrejmë zërin, por ta programojmë njëmendësisht, me sistem korrektiv dhe përmbysje të plotë të rrugës së mbrapshtë që Klasa Politike e Punëve jo të Dobishme, që kulmon me qeverinë aktuale, ka ndërtuar deri më tani.

Shqipëria është e Jona, e Shqiptarëve të Lirë që nuk ndiqen nga pas për t’u nxjerrë jashtë saj!

Për të mbërritur këtu, Regjistrat Politikë duhet të ndryshojnë rrënjësisht. Dhe ky ndryshim për të Djathtën nuk fillon tek partia e Edi Ramës, por tek PD, si parti që jep Shpresë dhe nuk prodhon ngatërresa.

FRPD duhet ta inicojë me të vërtetë këtë ndryshim, jo me vijimësinë e politikave të vjetra zvarritëse dhe të pangjyrë të organizatës tonë, as me riciklimin e njerëzve që i ndoqën ata nga pas, por me një rifillim të ri, serioz dhe të kualifikuar, të denjë për Shqipërinë e vitit 2022, kandidat për BE.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

“Sunny Hill Festival” në Tiranë, ja cilët janë 7 këngëtarët e njohur që i janë bashkuar koncertit deri më tani

Story i radhës

Ministria e Infrastrukturës thotë se rruga Mitrovicë-Leposaviq mbetet e bllokuar

Të fundit nga

Gati 3 km kolonë në “Bllacë”

17 Shkup, 25 dhjetor – Ka shkuar në gati tre kilometra kolona e veturave në pikën kufitare “Bllacë”. Nga pamjet e siguruara, pasditen e sotme kolona e automjeteve në dalje të Maqedonisë
ShkoLartë