Të paktën 11 të vrarë pas një sulmi izraelit në Gazë

min lexim

Një sulm ajror izraelit goditi një shkollë, ku po strehoheshin mijëra palestinezë të zhvendosur në veri të Gazës, duke vrarë të paktën 11 persona dhe duke lënë të plagosur 22 të tjerë, përfshirë gra dhe fëmijë, tha Ministria e Shëndetësisë në këtë territor.

Ushtria izraelite konfirmoi se ka goditur një shkollë në kampin e refugjatëve Xhabalia, duke thënë se po shënjestronte luftëtarët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që gjendeshin brenda, dhe të cilët, sipas ushtrisë, po planifikonin sulme kundër trupave izraelite. Ky pretendim i Izraelit nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë nuk ofroi detaje sesa gra dhe fëmijë ishin në mesin e të vrarëve.

Forcat izraelite vazhdimisht kanë sulmuar shkolla, duke thënë se luftëtarët e Hamasit i përdorin këto objekte si “qendra komanduese” për të planifikuar sulme. Ushtria thotë se përdor armë precize për të shmangur viktima në mesin e civilëve.

Dhjetëra mijëra palestinezë po jetojnë nëpër shkolla në mbarë Gazën pasi janë larguar për shkak të bombardimeve dhe ofensivës izraelite. Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 1.9 milion nga 2.4 milionë banorët e Gazës janë të zhvendosur nga lufta, që nisi pothuajse një vit më parë.

Në qytetin jugor të Han Junisit, autoritetet varrosën në një varrezë masive trupat e 88 palestinezëve që Izraeli ktheu në Rripin e Gazës një ditë më parë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë dënoi atë që e cilësoi si mënyrë “çnjerëzore dhe të pamoralshme” të trajtimit të trupave nga Izraeli, duke thënë se trupat u sollën të ngarkuar në një kamion, pa asnjë informacion lidhur me identitetin e tyre.

Përgjatë ofensivës së Izraelit në Gazë, trupat kanë hapur disa varreza dhe varre të improvizuara pranë spitaleve ku janë vendosur trupat e palestinezëve të vrarë gjatë bastisjeve në spitale. Ushtria ka marrë një numër të paspecifikuar të trupave dhe i ka dërguar në Izrael, duke thënë se po kërkon trupa të mundshëm të pengjeve izraelite apo luftëtarëve të Hamasit.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor të vitit të kaluar, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Fushata izraelite në Gazë ka lënë të vrarë më shumë se 41.500 palestinezë dhe ka lënë të plagosur më shumë se 96.000 të tjerë, sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë më 26 shtator. Kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë në shifrat që prezanton. Por, ka thënë se gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë, përfshirë afër 1.300 fëmijë nën moshën 2-vjeçare./REL

Burimi: botasot.info

Story i mëparshëm

Avokati i Salianjit: Nuk arrestohet dot pa u zbardhur vendimi, duhen deri 3 muaj

Story i radhës

SHBA, sanksione ndaj rrjetit të këmbimit të kriptovalutave për ndihmën që i jep Rusisë

Të fundit nga

Tërmet në Strumicë

  Një tërmet është ndjerë rreth orës 21:45 të mbrëmjes së sotme në afërsi të Strumicës,