Trembëdhjetë të mbijetuara të paidentifikuara që ishin abuzuar seksualisht nga ish-mjeku i Shoqatës amerikane të Gjimnastikës Larry Nassar po kërkojnë 130 milionë dollarë dëmshpërblim nga FBI-ja me akuzat se dështoi në hetimin ndaj tij, thanë avokatët e tyre të enjten.
Individët thonë se dështimi i FBI-së për të hetuar siç duhet ish-mjekun Nassar pasi u njoftuan për disa nga akuzat kundër tij, përbënte një abuzim të dytë për ta. Secila nga të mbijetuarat po paraqet një kërkesë për dëmshpërblim.
“Ky është dështimi më i madh nga ana e zbatimit të ligjit në historinë e botës, pasi ka të bëjë me mbrojtjen e fëmijëve dhe duhet të ketë përgjegjësi institucionale për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë më,” tha në një deklaratë avokati Jamie White.
FBI iu përgjigj një kërkese për koment nga ana e agjencisë Reuters, duke iu referuar komenteve të bëra nga drejtori Christopher Wray përpara Komisionit juridik të Senatit në shtator.
Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit amerikan të Drejtësisë tha në korrik se FBI-ja zvarriti hetimin për akuzat për abuzim seksual kundër Nassarit, i cili u dënua në vitin 2018 me deri në 175 vjet burg për abuzim ndaj gjimnasteve të reja.
Ai akuzoi gjithashtu dy zyrtarë të FBI-së për gënjeshtra për të mbuluar “gabime të shumta dhe thelbësore” që lejuan abuzimin e Nasarit të vazhdonte.
McKayla Maroney, një nga gjimnastet e ekipit fitues së medaljes së artë olimpike në Londër 2012, i tha Komisionit Juridik të Senatit në shtator se ajo kishte qendruar tre orë në një telefonatë me FBI-në në vitin 2015 duke treguar me hollësi historinë e saj, por se agjencia e zbatimit të ligjit dështoi ta dokumentonte dëshminë e saj për një vit e gjysmë dhe i kishte shtrembëruar komentet e saj.
Avokatët e 13 individëve thanë se pretendimet e dëmshpërblimit mund t’i paraprijnë një padie civile dhe se FBI-ja ka gjashtë muaj për t’u përgjigjur.
“Askush nuk duhet të ishte abuzuar pas verës së vitit 2015, sepse FBI-ja duhet të kishte bërë punën e saj,” tha në një deklaratë Grace French, një e mbijetuar e Nassarit dhe themeluese e grupit “Ushtria e të Mbijetuarave”.
“Më neverit fakti se FBI-ja mund të kishte ndihmuar për të shmangur këtë traumë,” tha ajo./VOA