Episodi i parë i serialit “SBAShK”, që zgjati një muaj, sikur u mbyll me rifillimin e mësimit nëpër shkolla.
Episodi i dytë është në zhvillim e sipër, rreth pagesës ose jo të rrogës për muajin shtator, kur mësimi nuk u zhvillua për mbi 320 mijë nxënës. Për mua, edhe pse nuk jam jurist, duke lexuar ligjin mbi greva nga viti 2010 dhe ligjin mbi ndryshimin e këtij ligji nga viti 2012, është mbase e qartë se për ditët e grevës, grevistëve nuk u takon pagesa. Është e shkruar në mënyrë eksplicite në nenin 18, pas ndryshimit në vitin 2012:
“Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.”
Këtë ligj dhe këtë ndryshim e ka bërë opozita e sotshme që sot po tregohet aq e “kujdesshme” për mirëqenien ekonomike të mësimdhënësve dhe e cila është mësuar të aprovoj ligje dhe pastaj t’i shkel, siç bënte çdo herrë në rastin e grevave të mëparshme. Qeveria e sotshme duhet ta bëj diferencën duke respektuar ligjet.
Duke mirëkuptuar, se janë futur në lajthitje nga “rrahmonat&co” të ndihmuar edhe nga opozita dhe, për shkak të situatës së rëndë të përgjithshme ekonomike, megjithatë duhet gjetur ndonjë zgjidhje që do e mundësoj kompensimin e kësaj rroge të munguar, por, duke mos e shkelur ligjin. Dhe ndoshta një nga këto zgjidhje mund të jetë e shprehur me formulën e kompensimit të orëve të humbura me kompensimin e rrogës së humbur.
Zgjidhja afatgjatë e problemit, që po përsëritet nga viti në vit, duhet të kërkohet në harmonizimin e ligjeve dhe sidomos në zbatimin e tyre. Harmonizimi, pikë së pari me Kushtetutën e Kosovës, e cila parasheh “shkollimin e detyrueshëm” (neni 47) i cili do të “rregullohet me ligj”. Ky ligj është Ligji për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës, i cili parasheh shkollimin e detyrueshëm nga mosha 6 vjeçare deri mosha 15 vjeçare, respektivisht deri në mbarim të shkollës fillore të mesme të ulët (neni 9, pika 2). Madje, ky ligj parasheh edhe mundësinë që “Ministria mund të nxjerrë akte nënligjore për shmangien e situatave të jashtëzakonshme në lidhje me kërkesat për arsim të detyruar.” (neni 9, pika 5) – mundësi që nuk u shfrytëzua nga ministria gjatë situatës kur për një muaj nuk u zhvillua mësimi i detyruar, që mund të konsiderohej sikur situatë e jashtëzakonshme, sepse shkelej kushtetuta.
Në preambulën e Statutit të SBAShK-ut shkruan “SBASHK-u operon brenda sistemit të Republikës së Kosovës, në frymën e Kushtetutës, Konventave ndërkombëtare, ligjeve, marrëveshjeve kolektive, rregulloreve e akteve tjera normative të njohura dhe Programit e Statutit të SBASHK-ut”.
Pra, duke pasur parasysh Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për arsimin parauniversitar dhe Statutin e SBAShK-ut, shtrohen dy pyetje:
Mbi cilën bazë ligjore SBASHK-u e bllokoi arsimin e detyruar për fëmijë, nga mosha 6 deri 15 vjeçare, gjatë një muaji?
Pse ministria nuk shfrytëzoi kompetencat e veta për të aplikuar “akte nënligjore për shmangien e situatave të jashtëzakonshme në lidhje me kërkesat për arsim të detyruar”?
Për t’u harmonizuar Ligji mbi greva me Kushtetutën dhe Ligjin për arsim parauniversitar, ka nevojë për ndërhyrje urgjente, që në mënyrë eksplicite të kufizohet e drejta e ushtrimit të grevës për këtë kategori të mësimdhënësve, siç është e kufizuar për disa kategori tjera: për polici, zjarrfikësit, FSK-në dhe shërbimet emergjente mjekësore.