Kandidati për president nga radhët e koalicionit VLEN, Arben Taravari, prezantoi platformën e tij presidenciale, me të cilën do të kërkojë mbështetjen e popullit në zgjedhjet e 24 prillit dhe nëse kalon në rrethin e dytë, edhe në ato të 8 majit. Platforma e tij është mbështetur në katër shtylla kryesore.
Sa i përket shtyllës së parë, Taravari tha se do të kërkojë nga përfaqësuesit europian që të mos ketë më kërkesa të reja pas ndryshimeve kushtetuese përtej kornizës negociuese nga viti 2022, ndërsa në plan të brendshëm, nga mandatari për formim të qeverisë do të kërkojë afat për realizimin e ndryshimeve kushtetuese. Taravari do të kërkojë nga Kuvendi edhe daljen nga Ballkani i Hapur.
Te fusha e sigurisë, Taravari premton buxhet të qëndrueshëm shumëvjeçar të mbrojtjes në nivel prej 2% të BPV, në përputhje me kriteret e NATO-s. Taravari ka paraparë edhe një Task Forcë për siguri kibernetike.
Për shtetin e së drejtës, Taravari do të kërkojë nga Kuvendi një pako legjislative e cila parasheh veting për gjyqtarët dhe prokurorët, por do të angazhohet edhe për anulimin e ndryshimeve të kodit penal që ndodhën vitin e kaluar, e me të cilën u amnistuan shumë funksionarë publik.
Taravari përsëriti kërkesën që presidenti të zgjidhet në Kuvend me 2/3 e votave, dhe nëse asnjë kandidat nuk zgjidhet me dy përpjekje, e treta të realizohet me shumicë të deputetëve të përgjithshëm.
Taravari do të kërkojë që nga Kushtetuta të largohet përkufizimi i gjuhës shqipe me titullin 20%, dhe e njejta të bëhet gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e shtetit. Paralajmëroi edhe mbylljen e të gjitha mediave ruse dhe ato që financohen nga Rusia.
Burimi: tv21