Tash për tash nuk biseduam për hyrje në Qeveri por në të ardhmen nëse ka diçka serioze mediumet do të jenë të informuara në kohë dhe do të jemi transparent në këtë drejtim. Kështu ka deklaruar kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari pas përfundimit të takimit me kryeministrin Kovaçevski në pyetjen se a ka pasur ofertë për kyçje të ASH-së në Qeveri. Kryetari i kësaj partie e lë të hapur mundësinë për hyrje në Qeveri, dhe nëse ka ofertë serioze, Taravari tha se opinioni do të njoftohet me kohë. Ai tha se takimi i sotëm ka qenë në vazhdën e takimeve të liderëve që ka nisur nga 7 nëntori.
“Ky takim me kryeministrin Kovaçevski ishte në vazhdën e takimeve të 7 nëntorit të këtij viti, respektivisht në takimin e liderëve të partive politike parlamentare. Konstatuam se rruga evropiane e Maqedonisë patjetër të vazhdon dhe natyrisht ne si ASH e mbajmë atë qëndrim se do të jemi facilitues dhe ndihmës të këtij procesi me të vetmin qëllim që sa më shpejtë të ec ky proces. Gjithashtu e biseduam edhe luftën e korrupsionit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës e cila fatkeqësisht është gati e falimentume në Maqedoni. Biseduam edhe për ligjet të cilët janë të bllokuar në Parlament dhe ne si ASH gjithnjë kemi ndihmuar për ti zhbllokuar ligjet që bllokohen me qëllim”, ka deklaruar mes tjerash Taravari.