Zëra të caktuar bëjnë me dije nën zë se Rama dhe Thaçi e kanë certifikuar një marrëveshje me Vuçiqin për ndarjen e Kosovës. Mund të jetë fak-neës. Megjithatë unë prirem të besoj se këta të tre katër vite më parë kanë dhënë verdiktin e tyre për shkëmbimin e territoreve. Ky fakt ka filluar të artikulohet nga përkrahësit e ndarjes së Kosovës si triumf i asaj politike, kur thonë se „Nuk deshët korrigjimin e kufijve, tani pranoni shtetin serb brenda Kosovës“! Dhe kanë parasysh me këtë krijimin e Anotacionit të Komunave me Shumicë Serbe!
Ndërkaq në tregun mediatik përkrahësit e idesë së ndryshimit të kufijve kanë nis të merren me “argumentet” në terren. Këta njerëz publikë, politikanë e gjithçka tjetër, po na thonë se: “Nuk ka kurrgjë prej Mitrovicës së Veriut”! “Trepça ka mbaruar tashmë rezervat e saj”! Linjiti dhe mineralet e tjera në veri janë të varfra dhe askush nuk ka interes të investojë aty”! Madje shkojnë deri te konstatimi fals se “Në komunat e veriut të Kosovës 99.99 për qind e popullsisë është serbe“, duke shtrembëruar realitetin demografik të këtyre katër komunave. Dhe jo vetëm kaq! Edhe duke legjitimuar spastrimin etnik të shqiptarëve të vitit 1999 në veri të Kosovë. E ndërkohë Serbia nuk le rast pa kërkuar kthimin e serbëve në Kosovë, duke pretenduar se para luftës aty jetonin jo më pak se 300 mijë serbë”, kur regjistrimet e Milosheviçit kishin shënuar shifrën e 210 mijë serbëve në Kosovë!
Serbofilët
Politikanë e njerëz të tjerë me ndikim publik me emra shqiptarësh, në vend që t’i kundërvihen politikave serbe të dominimit në rajon e serbizimit të Kosovës, janë bërë palë me Beogradin për të argumentuar “të drejtën serbe në Kosovë”! Është e trishtë, por dëgjon edhe pohime të tilla si: “Ashtu si u trajtuan shqiptarët nga Milosheviçi, ashtu po trajtohen edhe serbët në Kosovë nga ana e qeverisë Kurti”! Dhe pas këtij pohimi vjen arsyetimi se “këta serbë duhet të kenë të drejtën e vetëvendosjes, njësoj si edhe shqiptarët”! Kurse këtyre politikanëve shqiptarë serbofilë nuk u shkoi asnjëherë mendja se 700 mijë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk e kanë të drejtën e vetëvendosjes. Ndërsa e kërkojnë këtë të drejtë për 30-35 mijë serbë të veriut të Kosovës, nuk e artikulojnë këtë për 300-400 mijë hungarezë të Vojvodinës, për rreth 200 mijë myslimanë e shqiptarë të Sanxhakut apo për 125 mijë shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Shqiptarët tanë i janë bashkuar kështu konceptit serb si “popull i zgjedhur”! Sepse nëse 30 mijë serbë të katër komunave kërkojnë vetëvendosje, ndërkohë që kjo u mohohet nacionaliteteve të tjera me 20 herë më shumë në numër, atëherë do të thotë se popujt e Ballkanit nuk trajtohen në mënyrë të barabartë! Kryetrimi i këtyre akteve anti-shqiptare është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama! Ai e nisi mbështetjen e tij në krah të “popullit të zgjedhur serb” dhe e trajton gjithashtu shtetin e Serbisë si “shtet të zgjedhur”, me të drejtën “e ligjshme” për ta sunduar dhe dominuar skenën politike, jetën ekonomike, kulturore dhe sociale në Ballkanin Perëndimor!
Alternativa e Edi Ramës, Hashim Thaçit, Aleksandër Vuçiqit është “Ose ndajeni Kosovën dhe pasuritë e saj jepjani Serbisë, ose pranoni sundimin e Serbisë në rajon”! Kjo alternativë në Kosovë përkthehet: “Ose pranoni ndarjen, ose Open Balkan-in dhe Asociacionin”!
Një lidhje “ilire”
Kishim menduar se ndarja e Kosovës ishte arkivuar. Po ashtu po besojmë se Open Balkan është tashmë në arkivol. Por, UDB-ashët dhe Çetnikët serbë nuk tërhiqen. Ata po krijojnë narrativen dy degësh: – Ndarje e Kosovës ose Open Balkan e Asociacion. Ata që i kundërshtojnë këto dy trysni të grupimeve pro-serbe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë Perëndimore, Mal të Zi e kudo ndoshta është mirë të mendojnë për krijimin e një Asociacioni të ri: – Lidhja e përbashkët Kroaci-Bosnjë-Hercegovinë- Mali i Zi – Shqipëri – Kosovë e Maqedoni e Veriut.
Kjo lidhje e re mund të qëndrojë e hapur edhe për Serbinë, por me kusht që ajo të kërkojë ndjesë për të gjitha krimet e tmerrshme gjenocidale kundër popujve të tjerë dhe të shkëputet realisht nga aleanca me Rusinë! Kjo do të thotë që krahas ndjesës, të pranojë realitetin e shteteve që kanë dalë nga ish-Jugosllavia dhe të bëhet anëtare e NATO-s!
Nëse iniciohet një lidhje me kryeqytetet Zagreb-Sarajevë-Podgoricë-Tiranë-Prishtinë e Shkup, atëherë Serbia izolohet plotësisht dhe nuk do të ketë as alternativë, as mundësi praktike të kërcënojë paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Gadishullit Ballkanik. Vjosa Osmani e Albin Kurti së bashku me presidentin dhe kryeministrin kroat duhet medoemos të nisin bisedimet për një lidhje si kjo. Ndryshe do të gjenden nën trysninë e alternativës së Vuçiqit dhe Edi Ramës “Ose ndarja e Kosovës, ose shtet serb brenda Kosovës”! Jam i bindur se Gjukanoviç do të jetë pro kësaj nisme.
Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO