Një sërë vendesh refuzuan njëri pas tjetrit një propozim të ri, por pa angazhime konkrete, të publikuar të enjten herët, që synon të hedhë bazat për një marrëveshje gjatë takimit të OKB-së për klimën, lidhur me ndihmën financiare që do t’u jepet vendeve në zhvillim për kalimin tek energjia e pastër dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Projekt-propozimi la jashtë një pikë kyçe: sa do t’i paguajnë vendet e pasura vendeve të varfra?
Negociatorët në bisedimet për klimën, të njohura si COP29 , që po mbahen në Baku, po përpiqen të mbyllin hendekun mes rreth 1.3 trilion dollarëve që vendet në zhvillim thonë se u nevojiten për financimin e klimës dhe disa qindra miliardë dollarëve që negociatorët thonë se janë të gatshme të ofrojnë vendet më të pasura.
Mungesa e shifrës për fondet për klimës ngjall zhgënjim
Ekspertët e pavarur thonë se nevojiten të paktën 1 trilion dollarë për të kaluar nga lëndët djegëse të paripërtëritshme drejt energjisë së pastër, për t’u përshtatur më mirë me efektet e ndryshimeve klimatike dhe për të kompensuar humbjet dhe dëmet e shkaktuara nga moti ekstrem.
Ministrja e Mjedisit të Kolumbisë, Susana Mohamed, tha se pa një shifër të ofruar nga vendet e zhvilluara, “po negociohet mbi asgjë”. Ministri i Panamasë, Juan Carlos Monterrey Gomez tha se “mungesa e angazhimit ndihet si një shuplakë për më të pambrojturit”.
“Është thjesht mosrespektim i plotë ndaj atyre vendeve që po mbajnë peshën kryesore të kësaj krize”, tha ai. “Vendet e zhvilluara duhet të ndalojnë së bëri lojëra me jetën tonë dhe të vënë në tryezë një propozim serioz financiar”.
Zoti Gomez renditi vendet ku negociatorët punuan për të arritur dakordësi mbi këtë çështje: “Afrikë e Jugut, Gjermani, Filipine, Egjipt, Austri, Zvicër, Dubai, Kolumbi dhe disa herë këtu në Baku” dhe më pas shtroi pyetjen “Për hir të Zotit, cila është ndalesa tjetër? Marsi? A duhet të shkojmë në hapësirë që vendet e pasura të na japin një shifër dhe më pas të negociojmë këtu në tokë?”
Mohamed Adow, drejtor i grupit të ekspertëve ‘Zhvendosja e Pushtetit, Afrikë”, po ashtu shprehu zhgënjim për mungesën e një shifre. “Ne kemi nevojë për një çek, por deri tani kemi vetëm copë letër bosh“, tha ai.
Iskander Erzini Vernoit, drejtor i grupit hulumtues maroken të klimës ‘Nisma Imal për Klimën’, tha se “nuk ka më fjalë për të treguar zhgënjimin që kemi arritur deri këtu pa shifra serioze në tryezë dhe pa angazhim serioz nga vendet e zhvilluara”.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha “nuk mund të vazhdohet duke u kthyer vazhdimisht, tek e njëjta pikë, pa sqaruar aspektet kryesore të negociatave”.
Negociatorët kritikojnë projekt-propozimin “e pabalancuar”
Kryenegociatori Jalchin Rafiyev vuri në dukje se sa i balancuar ishte plani sipas tij, por të gjitha palët përsëritën se plani vetëm i balancuar që nuk ishte dhe theksuan se koha, po mbaron. “Ne dëshirojmë të rishohim planin, është i njëanshëm”, tha delegatja pakistaneze Romina Khurshid Alam. I dërguari i Bashkimit Evropian për klimën, Wopke Hoekstra e cilësoi projekt-propozimin “të pabalancuar, të papërshtatshëm dhe të papranueshëm”.
Xia Yingxian, anëtar i delegacionit kinez, tha se teksti aktual përmban shumë pjesë “të papranueshme”.
Në një deklaratë, Presidenca e COP29 theksoi se projekt-propozimet “nuk janë përfundimtare”. “Dera e Presidencës së COP29 është gjithmonë e hapur dhe ne mirëpresim çdo propozim që palët dëshirojnë të paraqesin”, tha Presidenca në një deklaratë. Presidenca shtoi se shifrat e mundshme për mbështetjene financiare mund të bëhen me dije në projekt-propozimin e ardhshëm.
Kombet e mëdha dhe të vogla duan më shumë veprim për pakësimin e lëndëve djegëse të paripërtëritshme
Fusha të tjera që po negociohen përfshijnë angazhimet për të reduktuar karburantet fosile që ngrohin planetin dhe masa për t’iu përshtatur ndryshimet klimatike. Por ata kanë parë pak veprim. Vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara kritikuan paketën e propozimeve u shprehur se nuk ishte aq e fortë në përsëritjen e thirrjes së vitit të kaluar për të hequr dorë nga lëndët djegëse të paripërtëritshme.
Shefja e delegacionit gjerman Jennifer Morgan tha se teksti aktual nuk ofron asnjë përparim në përpjekjet për të ulur emetimet e gazeve që të kufizohet ngrohja globale. “Kjo nuk mund dhe nuk duhet të jetë përgjigja jonë ndaj vuajtjeve të miliona njerëzve në mbarë botën”, tha ajo.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për klimën, John Podesta tha se ishte i befasuar që “nuk ka asnjë element që çon përpara rezultatet për të cilat kemi rënë dakord vitin e kaluar në Dubai”. Shtetet e Bashkuara, emetuesi më i madh në botë i gazeve që shkaktojnë efektin serrë, ka luajtur pak rol në bisedimet ndërsa vendi përgatitet për një tjetër presidencë nën drejtimin e zotit Donald Trump.
Disa ditë më parë, gjatë takimit në Brazil, G20, 20 vendet me ekonomitë më të mëdha në botë, nuk përmendën thirrjen për heqjen dorë nga lëndër djegëse të paripërtëritshme. Zoti Guterres, i cili ishte në atë takim, tha se gjuha zyrtare është një gjë, por dhe realiteti, tjetër.
“Nuk ka rrugë tjetër për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius nëse nuk heqim dorë nga karburantet fosile”, tha ai të enjten gjatë një konference për shtypin.
Po të enjten, BE, Meksika, Norvegjia dhe disa vende të tjera njoftuan se do të publikojnë planet për të ulur me shpejtësi emetimet gjatë dekadës së ardhshme për të përmbushur objektivin e marrëveshjes historike të Parisit për të frenuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius, por pa dhënë hollësi se si do të ndodhë kjo.
Sipas marrëveshjes, vendet duhet të detajojnë planet e tyre për reduktimin e emetimeve të gazeve me efektin serrë deri në fillim të vitit të ardhshëm./VOA
Burimi: botasot.info