“Takim çmalljeje në të gjitha kuptimet”- Meta flet për vizitën e Berishës në Presidencë

Presidenti i vendit Ilir Meta e ka cilësuar takimin me ish-kryeministrin Berisha si një takim çmalljeje në të gjitha kuptimet letraro-poetike dhe jo si një takim ku u diskutuan çështjet politike të opozitës.

Gjatë një interviste të dhënë për A2CNN, kreu i shteti deklaroi se ka një vlerësim të madh për Berishën dhe për arritjet e tij në jetën profesionale, pasi erdhi nga një fshat i largët i Tropojës dhe arriti më pas në majat më të larta të shkencës në Shq shkencës në Shqipëri.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Ju e konsideruat takimin me ish-kryeministrin Berisha, si një takim që nuk kishte të bënte me marrëveshjen që u bë mes tij dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim?

Presidenti Meta: As nuk ka pasur lidhje me atë marrëveshje dhe as nuk mund të kishte.

Pyetje: Por ishte një takim çmallje!

Presidenti Meta: Po, ishte një takim në të gjitha kuptimet letrare-poetike. Por, kjo gjë as nuk ka pasur, as nuk ka, dhe as do të ketë lidhje me çështjet politike të opozitës, apo të një pjese të opozitës.

Pyetje: I jepni zë, me entuziazëm asaj që përfaqëson Sali Berisha për ju, duke e keni quajtur së fundmi dhe Presidentin e përjetshëm?

Presidenti Meta: Jo të Përjetshëm, të Përgjithshëm Po!

Pyetje: Po Sali Berisha ka ndonjë epitet për ju?

Presidenti Meta: Është kënaqësia ime, të jap disa vlerësime për të, këto unë i kam dhënë dhe më parë. Unë kam një dobësi për të, dhe e kam thënë dhe më herët këtë gjë, ja kam thënë dhe Edi Ramës që, kur isha në koalicion me të.

Pyetje: Doktori ka një rikthim në politikë dhe është ndjeshëm aktiv. Ndërkohë që, pritet dhe një rikthim i juaj, besoj ju do jeni një dyshe e fortë opozitare?

Presidenti Meta: Nuk dëshiroj të hyj në këto raporte, si raportet njerëzore, raportet e vlerësimit për shkak të asaj që, zoti Berisha ka arritur në jetën e tij.

Mos të harrojmë është një njeri, që vjen nga fshatrat më të largëta të veriut të Shqipërisë, dhe me punën e vet arriti në majat e shkencës dhe të mjekësisë, por edhe në rolin e tij të jashtëzakonshëm në proceset demokratike të vendit. Qëndrimet tona nuk kanë qenë gjithmonë në të njëjtën linjë.

Pyetje: Historia juaj është armiq-miq me njeri-tjetrin!

Presidenti Meta: Kjo gjë ka të bëjë më zgjedhjen që, bën gjithsecili.

Raporti im është me vendin, me interesin kombëtar, me demokracinë, me pluralizmin politik dhe Kushtetutën.

Unë në këto raporte kam qenë gjithmonë koherent, dhe jam i lumtur për këtë koherencë.

Marrëveshjet që, kanë qenë të detyruara në kohë dhe me aktorë të caktuar, nuk varen thjeshtë nga dëshira ime, ato varen dhe nga realiteti politik dhe nga roli që, i cakton gjithsecilit votuesi dhe qytetari shqiptar.

Pyetje: Zoti Berisha në vitin 2009, kur e pyetën pas vendimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim për hyrjen në qeverinë e zotit Berishës, i kujtuam akuzat që kishte bërë ndaj jush atëherë tha: “fjalë kazani” duke iu referuar Faik Konicës. Por, në të gjitha këto vite në shikojmë në mënyrë të vazhdueshme tek të gjithë protagonistët e politikës, disa të vërteta dhe gjysmë të vërteta thuhen jo në kohën që ato, duhen thënë! Në opinionin publik krijohet ideja, dhe mosbesimi ndaj tyre është më i fortë në ditët e sotme,  që politikanët i përdorin këto, sipas strategjisë së tyre politike dhe jo në shërbim të publikut?

Presidenti Meta: Ky është një vlerësim i juaji. Unë personalisht ndihem shumë i qetë, sepse vë re që, besimi i njerëzve tek unë, nuk mungon.

Jo vetëm thjesht si President, këtë gjë e kam të provuar me manifestimin e 2 Marsit, por edhe si Ilir Meta dhe ndihem shumë komod me këtë raport.

Besoj se, pavarësisht nga zgjedhje apo raporte të caktuara, që nuk është se janë në dorën time, për t’i zgjedhur apo për t’i imponuar. Por ato, varen dhe nga rrethanat, nga votat dhe nga zgjidhjet që duhen dhënë.

Koherenca ime si Ilir Meta, ka qenë absolute për demokracinë, pluralizmin, integrimin europian, mbrojtjen e Kushtetutës dhe që, Kushtetuta nuk mund të ndryshohet asnjëherë pa referendum, dhe këtë gjë e kam thënë që në vitin 2008 në mënyrë të vazhdueshme.

Unë gjithmonë i kam shërbyer këtyre kolonave shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë më interesin e të gjithë qytetarëve shqiptar në tërësi.

Koherenca ime ka qenë absolute dhe jam shumë krenar për këtë!

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Mitrovica kujton masakrën e tmerrshme

Story i radhës

Dëmtimet muskulore te sportistët

Të fundit nga