Ministri i Mbrojtjes i Tajvanit, Chiu Kuo-cheng, ka thënë se si Kina ashtu edhe Tajvani do të paguanin një çmim të rëndë nëse Pekini do të përpiqej të organizonte një pushtim të ngjashëm me atë të Rusisë.
Duke folur me gazetarët përpara seancës së parlamentit tajvanez për të diskutuar pushtimin rus të Ukrainës, Chiu tha se “nëse ka një luftë, të jem i sinqertë, të gjithë do të jenë të mjerë, madje edhe për fituesit”, shkruan BBC.
Ai shtoi: “Ne po i shikojmë me qetësi zhvillimet dhe po përgatitemi në përputhje me rrethanat”.
Pushtimi rus i Ukrainës ka rinovuar alarmin në Tajvan se ata mund të përballen me një skenar të ngjashëm.
Tajvani e sheh veten si një komb i pavarur me qeverinë e vet. Por Kina e ka konsideruar prej kohësh demokracinë ishullore si një provincë të shkëputur dhe është zotuar një ditë ta rimarrë atë.
Javën e kaluar, shprehja “Ukraina sot, Tajvani nesër!” është populluarizuar në mediat sociale të Tajvanit. Por qeveria e Tajvanit ka minimizuar në mënyrë të prerë krahasimet me Ukrainën.
Ndërsa autoritetet rritën nivelin e tyre të gatishmërisë, presidenti Tsai Ing-wen deklaroi se kishte “ndryshime thelbësore” në konfliktet gjeopolitike, duke përfshirë pengesën gjeografike të ngushticës së Tajvanit midis ishullit dhe Kinës.