Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog sërish ka kritikuar ekzekutivin për Ligjin për Paga dhe për Zyrtarët Publikë. Ai deklaroi se nëse këto nisma legjislative nuk ndryshohen, atëherë shërbimi civil do të jetë i cenueshëm nga politizimi.
Kështu u shpreh ai në konferencën me temën “Reforma në Administratën Publike në Kosovë, sfidat, progresi dhe rruga përpara” nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
Szunyog deklaroi se reforma në administratën publike është shtylla kryesore për anëtarësim në BE.
Szunyog: Nëse këto ligje nuk ndryshohen, shërbimi civil do të jetë i cenueshëm
“Kosova ka bërë po ashtu progres në racionalizimin e agjencive të pavarura, por nevojiten përpjekje të metejme për përshpejtimin e procesit. Sa i përket kornizës ligjore, fatkeqësisht, Kosova nuk ka marrë parasysh komentet e BE-së dhe SIGMA-s në disa veprime kyçe ligjore dhe me duhet ta shfrytëzoj mundësinë e sodit që edhe njëherë t’i ngrisim shqetësimet tona. Ligji i ri për Zyrtarët Publik, Ligji për Pagat në sektorin publik dhe Ligji për bordin mbikëqyrës në shërbimin publik janë kyçe për reformat e suksesshme të administratës publike. Në rast se këto ligje nuk ndryshohen, rezultate të pritshme negative mund ta bëjnë shërbimin civil të cenueshëm ndaj një rreziku më të madh të politizimit dhe korrupsionit”, deklaroi ai.
Kurse, drejtoresha e GLPS-së, Arbëresha Loxha Stublla tha se reforma është thelbësore për çdo shtet.
Loxha-Stublla: Konsultimi i shoqërisë civile në reforma është qenësor
“Konsultimi i shoqërisë civile dhe i akterëve relevantë në procesin e hartimit të këtyre dy ligjeve nuk ka qenë i kënaqshëm dhe gjithashtu jo gjithëpërfshirës dhe kuptim plot që përtej faktit që shumë shpesh nuk jemi përfshirë, siç është rasti në rishikimin e fundit të Ligjit për Zyrtarët Publik, ndonëse jemi përfshirë në faza më të hershme, imputet tona nuk janë trajtuar apo nuk janë marrë parasysh. Edhe vlerësoj dhe po e përçoj si mesazh që është tejet e rëndësishme, sidomos për procese të tilla reformuese, siç është reforma e administratës publike, përfshirja kuptim plot e në faza të hershme të shoqërisë civile dhe hisedarëve të tjerë dhe mbetet qenësore”, përfundoi ajo.
Ndërkaq, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra tha se janë të përkushtuar për një administratë efikase dhe llogaridhënëse.
Dobra: Ne synojmë depolitizimin e administratës publike
“Ne përmes politikës sonë me Ligjin për Zyrtarët Publik synojmë pikërisht depolizitimin e administratës. Pra, jemi të përkushtuar për të ndërtuar një administratë që funksionon mbi parimet e meritokracisë, transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit. Zbatimi i Ligjit për Zyrtarët Publik ka filluar qysh në shtator të vitit 2023, kur ligji ka hyrë në fuqi dhe zbatimi i ligjit është duke vazhduar kur ne si ministri jemi në proces të hartimit të të gjitha akteve nënligjore që derivojnë nga ky ligj. Gjithashtu, muajin e kaluar qeveria ka miratuar ligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zyrtarët Publik, me qëllim që ndër të tjera të adresohen kërkesat e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të muajit shkurt 2023”, tha ai.