Burri që dyshohet se ka vrarë 10 njerëz në një dyqan në qytetin Bufalo të Nju Jorkut, ka qenë në kërkim të zonave me popullsi afrikano-amerikane, kanë thënë autoritetet.
I dyshuari, Payton Gendron, 18-vjeçar, ka udhëtuar më shumë se 320 kilometra për të kryer sulmin, ka thënë policia.
Sulmi i 14 majit është duke u hetuar si akt i ekstremizmit të dhunshëm me motive racore.
Kryetari i qytetit Bufalo, Byron Brown, ka thënë se i dyshuari ka synuar “të marrë jetët e sa më shumë afrikano-amerikanëve”.
Në mesin e amerikanëve ka pyetje se si ka arritur të kryejë sulmin i dyshuari, kur veçse ka qenë në radar të autoriteteve.
Gendron ka kërcënuar për të shtëna me armë zjarri në shkollën e tij të mesme në qershor të vitit të kaluar, ka thënë një zyrtar për zbatim të ligjit.
Ai më pas u është nënshtruar kontrolleve për shëndetin mendor.
Në një dokument me 180 faqe, autor i të cilit besohet se është Gedron, ai e ka përshkruar veten si fashist dhe supremcist të bardhë.
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, ka thënë se zyra e saj do të fokusohet në materialin për ekstremizmin, të publikuar online.
“Kjo gjë është kryer nga një individë i sëmurë, i cili është nxitur nga doza të përditshme të urrejtjes”, ka thënë ajo.
Sipas policisë, nga 13 njerëz të qëlluar me armë zjarri, 11 kanë qenë afrikano-amerikanë
Në mesin e të vrarëve ka qenë një burrë, i cili ka shkuar të blejë ëmbëlsirë për ditëlindjen e djalit të tij dhe një grua, e cila ka shkuar të furnizohet me ushqim, pasi ka vizituar burrin në një shtëpi kujdesi./REL