Vinisius Xhunior thjesht vazhdon të përmirësohet. Braziliani është kthyer nga një lojtar jokonsistent, por i ndërlikuar, në një nga lojtarët më të mrekullueshëm. Sulmuesi ka të ngjarë të luajë një rol të rëndësishëm në Kupën e Botës të këtij dimri me Brazilin që shpreson të fitojë turneun dhe ai ka qenë në formë për “Los Blancos”.
Forma e tij reflektohet në vlerën e tij të tregut. Sipas “Transfermarkt”, vlera e Vinisius-it është rritur vitin e fundit. Ata e renditin atë si lojtarin e tretë më të shtrenjtë në botë, pas Erling Haaland dhe Kylian Mbappe.
“Transfermarkt“, kishte vlerësuar Vinisiusin në 50 milionë euro, në muajin tetor të vitit 2021, që ishte pak a shumë e njëjta tarifë që “Los Blancos” pagoi për nënshkrimin e tij në vitin 2018. Por, vitin e fundit ai ka shpërthyer. Ai ishte kyç në fitimin e La Liga-s dhe Ligës së Kampionëve, duke shënuar golin e fitores në finale, dhe ai shënoi gjithsej 22 gola dhe prodhoi 20 asiste të tjera. Tani, ai vlerësohet nga i njëjti burim me 120 milionë euro, duke treguar se vlera e tij është dyfishuar në më pak se një vit.
Vinisius ka përfituar nga përpjekjet e dështuara të Real Madridit për të nënshkruar me Kylian Mbappen. Ky i fundit është lojtari me vlerën më të lartë të tregut në botë me 160 milionë euro, përpara 150 milionë eurove të Erling Haaland-it. Kupa e Botës në Katar do të jetë padyshim një tjetër trampolinë për anësorin e Real Madridit.
Më pak se një vit më parë, trajneri i Brazilit, Tite kishte disa dyshime për praninë e tij në Katar, por tashmë Vinisius do të jetë pjesë e një prej tresheve më të fuqishme sulmuese të turneut përkrah Nejmarit.