Irani ka shpenzuar dekada të tëra duke formuar “boshtin e rezistencës”, një rrjet i bashkëpunëtorëve të armatosur dhe aleatëve të Teheranit kundër Izraelit.
Rrjeti është kyç në përpjekjet e Iranit për të mbajtur presionin ushtarak ndaj Izraelit dhe për të penguar armikun e tij të përbetuar që të sulmojë drejtpërdrejtë Republikën Islamike.
Por, më 7 tetor 2023, një anëtar kyç i boshtit kreu një sulm vdekjeprurës në Izrael, duke kompromentuar boshtin dhe duke e lënë Iranin të ekspozuar ndaj një lufte të mundshme të drejtëpërdrejtë me Izraelin.
Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – vrau pothuajse 1.200 izraelitë, shumica civilë, dhe rrëmbeu 251 pengje gjatë sulmit ndaj Izraelit.
Një vit nga ky sulm i paprecedent, Izraeli ka dobësuar anëtarët kyçë të boshtit dhe ka bërë që Irani të jetë gjithnjë e më afër një lufte të plotë me Izraelin, luftë që synon ta shmangë.
Hamasi është goditur nga sulmet hakmarrëse ajrore dhe ofensiva tokësore e Izraelit në Rripin e Gazës.
Lufta shkatërruese e Izraelit ka vrarë më shumë se 41.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga Hamasi. Izraeli vlerëson se afër 17.000 luftëtarë të Hamasit janë vrarë në Gazë, shifër që është mohuar nga Hamasi.
Në korrik, udhëheqësi politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, u vra në Teheran në një sulm të dyshuar izraelit.
Hezbollahu, grupi militant libanez dhe parti politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor, ka gjuajtur mijëra raketa drejt Izraelit në vitin e fundit, në shenjë solidariteti me palestinezët.
Organizata shiite, që është anëtarja më e fuqishme e boshtit të rezistencës, konsiderohet grup terrorist nga SHBA-ja, ndërkaq BE-ja e ka në listën e saj të zezë krahun politik të grupit.
Hezbollahu ka pësuar humbje të mëdha në muajt e fundit. Sulmet izraelite kanë shkatërruar udhëheqjen e tij, kanë degraduar aftësitë e tij luftarake dhe ia kanë kompromentuar komunikimet.
Më 1 tetor, trupat izraelite nisën ofensivë tokësore në jug të Libanit, duke hapur një front të dytë në luftën e tyre kundër boshtit të rezistencës.
Rreth 2.000 kilometra më në jug, rebelët Huthi po ashtu janë shënjestruar. Rebelët jemenas nisën sulmet me raketa dhe dronë ndaj Izraelit menjëherë pas sulmit të 7 tetorit dhe kanë shënjestruar trafikun ndërkombëtar detar në brigjet e Jemenit. Veprimet e tyre bënë që rebelët Huthi në janar të riktheheshin në listën e terrorit të SHBA-së. Në fund të shtatorit, disa sulme izraelite goditën caqe të rebelëve Huthi në Jemen.
Milicitë proiraniane dhe anëtarët e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit po ashtu janë goditur rëndë nga sulmet ajrore izraelite në Irak dhe Siri.
Ali Alfoneh, hulumtues i lartë në Institutin e Shteteve arabe të Gjirit, me seli në Uashington, tha se duke sulmuar bashkëpunëtorët e Iranit, Izraeli po minon një komponent të rëndësishëm të doktrinës të sigurisë kombëtare të Teheranit.
“Irani e ka parë që një nga palët, bashkëpunëtori kryesor, Hezbollahu libanez është reduktuar në pothuajse asgjë”, tha Alfoneh, duke shtuar se kjo e ka kufizuar shumë “në atë që Hezbollahu mund të bëjë për Iranin, në terma afatshkurtër”.
Më 1 tetor, Irani kreu sulmin më të madh me raketa kundër Izraelit, sulm që u pa si hakmarrje për vrasjen nga Izraeli disa ditë më parë të liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Alfoneh sugjeroi se sulmi i Iranit mund të jetë nxitur nga shqetësimet se Izraeli mund të kishte në shënjestër arsenalin raketor të Hezbollahut që “potencialisht mund të pengojë Izraelin që të sulmojë infrastrukturën bërthamore të Iranit”.
“Nëse këto raketa më nuk janë atje, situata duket shumë e zymtë për Iranin”, tha Alfoneh, duke shtuar se Irani mund ta ketë sulmuar Izraelin me shpresën se mund “të shpërqendronte vëmendjen e Izraelit nga Libani”.
Ekspertët e tjerë, megjithatë, u shprehën skeptikë për efektin e përgjithshëm të bombardimeve të Izraelit ndaj boshtit të rezistencës.
“Hezbollahu sigurisht që është goditur, por euforia që kaploi Izraelin dhe pjesërisht edhe Uashingtonin, duket e parakohshme dhe e ekzagjeruar”, tha Trita Parsi, bashkëthemelues i Institutit Quincy me seli në Uashington. “Boshti mund të jetë goditur, por nuk është mposhtur”.
Hamidreza Azizi, hulumtues në Institutin gjerman për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare tha se Hamasi, milicitë në Siri që mbështeten nga Irani dhe deri në njëfarë mase edhe Hezbollahu, janë dobësuar në kuptim të armatimin dhe burimeve njerëzore.
Por, ai tha se kjo nuk vlen për boshtin e rezistencës në përgjithësi. Në rastin e Hezbollahut, Azizi tha se grupi ka anëtarë të mjaftueshëm dhe numri arrin në afër 100.000 luftëtarë. Dhe Hezbollahu, tha ai, ka përdorur me masë vetëm raketat e tij më të fuqishme balistike kundër Izraelit.
Rebelët Huthi, ndërkaq, veçse kanë kryer sulme me raketa balistike me aftësi të mëdha dhe atja janë më pak të prekur nga sulmet ajrore izraelite.
Ndikimi më i madh, tha ai, ka qenë në strukturën komanduese dhe koordinuese të boshtit të rezistencës, kryesisht për shkak të vrasjes nga Izraeli të udhëheqësit të kamotshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, “i cili ishte përgjegjës për koordinimin e të gjitha këtyre grupeve”, përfshirë trajnimin dhe përpjekjet për rekrutim.
Burimi: botasot.info