Një nga bashkëkryetarët e Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin amerikan, ligjvënësi Ritchie Torres, thotë se komuniteti ndërkombëtar duket t’i dërgojë Iranit një mesazh të qartë, se nuk do të tolerohet për asnjë sulm kibernetik që ndërmerr ndaj një vendi sovran. Ligjvënësi nga Nju Jorku është nismëtar i një projekt-rezolute dorëzuar pak ditë më parë në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila dënon sulmet kibernetike të Teheranit ndaj Shqipërisë, e bën thirrje për forcimin e mbrojtjes kibernetike të këtij vendi.
Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, zoti Torres shton se pret mbështetje dypalëshe për Shqipërinë, që sikurse thotë, është një nga aleatët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara. Ligjvënësi amerikan flet dhe mbi të ardhmen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi. Ai thotë se Uashingtoni nuk duhet të veprojë sikur të jenë një ndërmjetës neutral, në kushtet kur Kosova është një aleat i Shteteve të Bashkuara, ndërsa Serbia i Rusisë. Ndaj për zotin Torres, sfida reale për përmbylljen e dialogut mes dy vendeve, mbetet afërsia e Beogradit me Moskën.
Zëri i Amerikës: Kongresmen Torres, së fundmi ju keni dorëzuar një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila dënon sulmet kibernetike të kryera nga qeveria e Iranit ndaj Shqipërisë. Cili është synimi i saj, çfarë po përpiqeni të arrini me këtë rezolutë?
Ritchie Torres: Unë shërbej si një nga bashkëkryetarët e Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin amerikan dhe për mua rezoluta ka dy qëllime. Së pari, komuniteti ndërkombëtar duhet të dërgojë një mesazh të qartë, se kemi zero tolerancë ndaj sulmeve kibernetike, ashtu siç kemi zero tolerancë për sulmet fizike. Unë e shoh terrorizmin kibernetik si një nga kërcënimet më të mëdha për paqen botërore. Mendoj se Kina, Rusia, Koreja e Veriut dhe Irani, janë shfaqur të gjitha si një bosht i së keqes në hapësirën kibernetike. Pra, ky është qëllimi i parë, të dënojmë pamëdyshje terrorizmin kibernetik dhe sulmet kibernetike në përgjithësi. Por së dyti, është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të mbështesin Shqipërinë, e cila ka qenë një nga aleatët më të forte të Shteteve të Bashkuara në botë.
Kur po tërhiqeshim nga Afganistani, Shqipëria ishte një nga vendet e para që u ofrua dhe vendosi të pranonte refugjatë afganë. Ndaj ashtu sikurse Shqipëria ka mbështetur Shtetet të Bashkuara, edhe ne, duhet të mbështesim popullin shqiptar. Dhe është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara e Kongresi të tregojnë solidaritet me Shqipërinë në momente nevoje.
Zëri i Amerikës: Qeveria amerikane është angazhuar të ndihmojë Shqipërinë për të përmirësuar sistemet e saj online. A mendoni se kjo ndihmë deri tani, ka qenë e mjaftueshme për të parandaluar sulme të tilla në të ardhmen?
Ritchie Torres: Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë. Jam i shqetësuar se Shqipëria mund të vazhdojë të jetë objektiv i sulmeve kibernetike. Ne e dimë se Irani kreu dy sulme kibernetike, një në korrik dhe një në shtator. Hakerat iranianë depërtuan në rrjetet shqiptare, 11 muaj para sulmit. Ndaj ka një nevojë reale për të investuar në mbrojtjen kibernetike të vendeve tona aleate si Shqipëria, jo vetëm me fjalë, por me fonde, duke investuar më shumë përmes ndihmës së huaj për të forcuar sigurinë kibernetike të aleatëve tanë si Shqipëria.
Zëri i Amerikës: Shqipëria u ka dhënë strehë rreth tre mijë anëtarëve të MEK-ut, opozitës iraniane, diçka që shumë besojnë, se ka qenë një nga arsyet kryesore pse u vu në shënjestër të sulmeve kibernetike. Qeveria shqiptare, ka thënë se u ka kërkuar përfaqësuesve të MEK-ut të mos zhvillojnë aktivitet politik brenda vendit. Cili është qëndrimi juaj për këtë shqetësim të shprehur nga qeveria shqiptare?
Ritchie Torres: Cilatdo qofshin motivet, nuk ka asnjë justifikim për një sulm kibernetik. Ne duhet të dënojmë një sulm kibernetik me po atë forcë që do të dënonim një sulm fizik ndaj një vendi. Asnjë vend si Irani nuk ka të drejtë të sulmojë një shtet sovran si Shqipëria. Sulmi ishte ndaj infrastrukturën kritike. Nëntëdhjetë e pesë për qind e të dhënave të qeverisë shqiptare janë në internet. Ndaj sulmi ishte thellësisht problematik. Ai i shkaktoi qeverisë shqiptare dëme që llogariten në miliona dollarë dhe për herë të parë në histori, një vend ndërpret marrëdhëniet diplomatike bazuar në një sulm kibernetik. Ndaj duhet të dërgojmë një mesazh të qartë se ka zero tolerancë për këto lloj sjelljesh.
Zëri i Amerikës: Cili është procesi për miratimin e rezolutës kur pritet që ajo të votohet në Dhomën e Përfaqësuesve?
Ritchie Torres: Rezoluta është dorëzuar në komisionin për Politikën e Jashtme dhe ky komision do të duhet të mbajë një seancë dëgjimore për të pasuar nga një votim. Shpresoj se do të ketë mbështetje dypartiake për Shqipërinë, e cila ka qenë një nga aleatët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara. Dhe do të ketë një dënim publik, dypartiak të Iranit, për përfshirje në terrorizëm kibernetik.
Zëri i Amerikës: Sa i përket Kosovës, kohët e fundit, për shkak të luftës në Ukrainë, kemi parë një vëmendje të shtuar të Perëndimit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A shihni ndonjë mundësi reale që mund të ndodhë diçka së shpejti në këtë drejtim?
Ritchie Torres: Unë jam pesimist sepse mendoj se është e rëndësishme që të kuptojmë kontekstin. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të veprojnë sikur të jenë një ndërmjetës neutral. Kosova është një aleat i Shteteve të Bashkuara, ndërsa Serbia është një aleat i Rusisë, dhe kjo është një dinamikë që ne duhet ta pranojmë sikurse është. Duhet të pranojmë se Serbia është një nga vendet e pakta që është besnike ndaj Rusisë, në një kohë kur Rusia ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe ka sulmuar shtetin sovran të Ukrainës, dhe kjo për mua është e papranueshme. Ky për mua është një problem. Ndaj unë shoh si një sfidë reale për përmbylljen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, afërsinë e Serbisë me Rusinë.
Zëri i Amerikës: Ju keni mbështetur nevojën që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s. A mendoni se vendi është gati për këtë hap?
Ritchie Torres: Kosova, për mua është shtet i pavarur dhe është koha që bota ta njohë pavarësinë e Kosovës. Është koha që çdo vend i NATO-s dhe çdo vend i Bashkimit Evropian të njohë pavarësinë e Kosovës dhe Kosova të mirëpritet në familjen e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ndaj unë jam plotësisht mbështetës i njohjes ndërkombëtare të saj.
Zëri i Amerikës: Kongresmen Torres, agresioni rus ndaj Ukrainës ka krijuar një kontekst të ri në Ballkanin Perëndimor. A jeni i shqetësuar ju për ndikimin rus në rajonin e Ballkanit, dhe potencialin për destabilitet e tensione në këtë rajon?
Ritchie Torres: Për mua agresioni rus është një shqetësim dhe kjo është arsyeja pse ne po mbështesim popullin ukrainas në luftën e tyre për liri. Ne kemi një interes të madh të shohim që Ukraina të mposhtë Rusinë. Shpresoj se Rusia do të dalë nga lufta edhe më dobët nga sa ka qenë më parë. /VOA