sulme ruse me drone ne ukraine vriten nena dhe djali 9 vjecar plagosen 4 persona 6a7f39d0ad1f5

Sulme ruse me dronë në Ukrainë/ Vriten nëna dhe djali 9-vjeçar, plagosen 4 persona

August 14, 2026
min lexim

Një nënë dhe djali i saj 9-vjeçar janë vrarë në sulmet me dronë rusë në rajonin kufitar të Sumyt në Ukrainë, tha të martën kreu i komandës ushtarake lokale, Oleh Khryhorov.

Sipas tij, dy dronë i vunë zjarrin një banese private dhe e shkatërruan atë, duke shkaktuar vdekjen e nënës 29-vjeçare dhe djalit të saj. Katër persona të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre babai dhe gjyshja e fëmijës, të cilët u dërguan në spital me djegie të rënda.

Ndërkohë, në qytetin Smila të Ukrainës qendrore, pesë persona u plagosën nga një tjetër sulm me dron rus, sipas zyrës së prokurorit rajonal të Cherkasy. Autoritetet e përshkruan ngjarjen si një sulm masiv ndaj infrastrukturës civile. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për presion ndaj kompanive që të ndërpresin furnizimin e Rusisë me komponentë nga jashtë.

Sipas Zelenskyt, Rusia po përdor rreth 220 bomba me rënie të lirë në ditë kundër komuniteteve në vijën e frontit, të cilat, sipas tij, Moska vazhdon t’i prodhojë dhe përshtatë pavarësisht sanksioneve.

Kërcënimet ruse përpara dimrit

Në një postim në Telegram, Ministria ruse e Mbrojtjes kërcënoi Ukrainën me ndërprerje të furnizimit me energji gjatë dimrit. “Do të ngrini këtë dimër”, shkroi ministria, duke publikuar një foto të dronëve në fluturim.

Ushtria ukrainase iu përgjigj duke publikuar një foto të një reje tymi mbi një objekt nafte në Rusi.

“Do të ngrohemi në zjarrin e rafinerive ruse”, deklaroi ajo.

Dimrin e kaluar, Moska kreu sulme masive ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës, duke lënë miliona ukrainas pa energji elektrike, ujë dhe ngrohje, ndërsa temperaturat ranë nën zero gradë. Ndërkohë, forcat ukrainase kanë vijuar kundërsulmet ndaj objektivave në territorin rus. Guvernatori Alexander Drozdenko tha se 51 dronë u kapën mbi rajonin e Leningradit, i cili rrethon Shën Petersburgun, ndërsa një zjarr shpërtheu në portin e Ust-Lugës.

Sipas tij, dëmet e shkaktuara nga sulmi me dron po riparoheshin me shpejtësi. Porti baltik i Ust-Lugës është një qendër e rëndësishme për eksportin e gazit natyror të lëngshëm, plehrave dhe qymyrit dhe ka qenë objektiv i sulmeve ukrainase edhe në të kaluarën. Deme u raportuan gjithashtu në rajonin e Tverit, në veriperëndim të Moskës. Mbetjet e një droni ranë mbi një zonë industriale dhe dëmtuan murin e një depoje në pronësi të kompanisë së tregtisë elektronike Wildberries. Nuk pati të lënduar.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

spak hap aplikimet per 40 pozicione hetuesish ne bkh ja kriteret dhe afati i aplikimit 6a7f397275153
Lajmi i mëparshëm

SPAK hap aplikimet për 40 pozicione hetuesish në BKH/ Ja kriteret dhe afati i aplikimit

afati i dyte i matures shteterore maturantet presin rezultatet e provimit 6a7f3e8dd9a2c
Lajmi i radhës

Afati i dytë i maturës shtetërore, maturantët presin rezultatet e provimit

Të fundit nga

Haxhiu fton në Presidencë krerët e partive

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar në takim liderët e partive politike. Burime të medias pohojnë se takimi do të zhvillohet ditën e martë, me fillim nga ora 09:00. Në
ShkoLartë