Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka mirëpritur gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’u konsultuar me përfaqësuesit e Kosovës lidhur me procesin e amendamentimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku e ka cilësuar këtë si lajm të mirë, duke i ftuar përfaqësuesit e BE-së që konsultimet të zhvillohen që nesër.
“E mirëpres gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’u konsultuar me ne në procesin e amendamentimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ky është një lajm i mirë. I ftoj që nesër të vijnë në konsultime. Ne jemi gati”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka theksuar se qëllimi i këtij procesi është garantimi i drejtësisë dhe i një procesi të drejtë e të paanshëm, në të cilin respektohen parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut.
Ajo ka shprehur bindjen se kërkesa për drejtësi është një çështje që mund ta bashkojë Kosovën dhe Bashkimin Evropian.
“Besoj se thirrja për drejtësi na bashkon. Edhe me Bashkimin Evropian”, ka përfunduar Çitaku.
Burimi: botasot.info


