Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani në emisionin “Pika e takimit” në Lajm TV ka paralajmëruar masat e reja në luftën kundër dhunës nëpër shkollat fillore. Ai thotë se më këto ndryshime, të gjithë fëmijët që shfaqin dhunë nëpër shkolla, prindërit e tyre do të dënohen me gjobë prej 250 euro.
“Kishim disa raste konkrete si në Hasanbeg, pastaj në Gjorçe Petrov, dmth. filluan të shpeshtohen këto raste dhe ne si ministri kur i vërejtëm këto raste, për dallim prej më herët po reagojmë me masa konkrete. Të gjithë fëmijët që shfaqin dhunë nëpër shkolla, prindërit e tyre do të dënohen me gjobë prej 250 euro”, ka thënë Sulejmani.
Ai thotë se këtë e bëjnë sepse nuk po mjaftojnë masat ligjore të cilat janë ndërmarrë për ta ndaluar dhunën nëpër shkolla. MASH, sipas tij, madje ka obliguar shkollat fillimisht të përpilojnë një udhëzues se si duhet të sillen kur ndodhin raste të tilla të dhunshme.
“MASH ka obliguar me ligj që në programet e tyre vjetore të inkuadrojnë aktivitete që kanë të bëjnë me sensibilizimin e dhunës, luftën kundër dukurive negative që ndodhin nëpër shkolla, derisa prindërit nuk kyçen në sistemin për të përmirësuar edhe edukuar më mirë fëmijët e tyre, veçmas për prindërit e fëmijëve që janë më problematik, atëherë pra duhet të intervenojmë me ligj që me gjoba të caktuara ta përmirësojmë këtë gjendje”, ka thënë Sulejmani.
Me kësi masa, thekson ai, përfundimisht do të ulet numri i rasteve të dhunshme, do të inkurajohen edhe fëmijët e tjerë, sepse kemi raste kur fëmija, madje, “nuk e paraqet bullizmin, sepse frikësohet”.
“Me këtë masë ligjore do të inkurajojmë edhe fëmijët të cilët janë pjesë e dhunës tani shumë më lirshëm ta paraqesin rastin. Është një hap i duhur për ta luftuar këtë dukuri të dhunës dhe me kujdes të veçantë ta paraqesim implementimin e këtyre masave”, ka nënvizuar zv/ministri Sulejmani.
Burimi: lajmpress.org



